Ministri izraelit i Turizmit, Israel Katz do të vijë për një vizitë dyditore në Kosovë, me ftesë të qeverisë së vendit.
Katz do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Katz do të bëhet ministri i parë i lartë izraelit që do ta zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë.
“Iniciativa kryesore në bazë të vizitës është nënshkrimi i një marrëveshjeje turistike dhe forcimi i marrëdhënieve dhe partneritetit mes vendeve”, thuhet në një deklaratë zyrtare.
“Ministri i Turizmit, Israel Katz, do të ofrojë ndihmën izraelite për zhvillimin ekonomik dhe turistik që Kosova kërkon të promovojë”, shtohet në deklaratë.
Kosova e mori në Shtëpinë e Bardhë njohjen e rëndësishme nga Izraeli dhe më pas u bë vendi i parë europian dhe me shumicë myslimane që hapi ambasadë në Jerusalem në vitin 2021. Qershorin e kaluar, Kosova miratoi përkufizimin e antisemitizmit të Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.