Ministri i Çekisë për çështje evropiane, Mikulash Bek ka mirëpritur dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE në Pragë.
Ai ka thënë se është nder për të që të pranojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Ministri çek në konferencën e përbashkët që po mbahet në Pragë së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ka thënë se mirëpret edhe avancimin që është bërë në çështjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ndër të tjera ai ka thënë se presidenca çeke në 6 muajt e fundit i ka vënë vëmendje të jashtëzakonshme Ballkanit Perëndimor.
Vlerësojmë dhe çmojmë arritjet e bëra të Kosovës deri më tani, më vjen mirë që duke plotësuar një nga prioritetet e presidencës sonë, gjashtë muajit e fundit kemi mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor, na vjen mirë që kemi arritur të avancojmë tutje në çështje të ndërlikuara, si liberalizimi i vizave për Kosovën dhe që kemi arritur të kemi konsensus me Parlamentin Evropian për këtë çështje të liberalizimit të vizave”, ka thënë Bek.
Ndryshe, Kosova, të enjten e 15 dhjetorit, ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dorëzuar aplikimin në Republikën çeke, vendin që aktualisht kryeson Presidencën e BE-së.