Ministrat Mehaj dhe Aliu prezantojnë dy projektet milionëshe, shpalosen detajet

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë prezantuar dy projekte që kanë të bëjnë me Ushtrinë e Kosovës.

Ai tha se do të investohen miliona euro pas shpronësimeve në Babaj të Bokës dhe në Aeroportin e Gjakovës.

Në projektin e parë u bë e ditur se do të ndërtohen poligone taktike për shërbim të ushtarëve të FSK-së, e që sipas ministrit Mehaj pritet të jetë me standarde të NATO-s dhe SHBA-së.

Mehaj deklaroi të enjten se Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes.

I pari i Mbrojtjes u shpreh se ndërtimi i poligoneve do të bëhet edhe në bashkëpunim me partnerët strategjik të Kosovës, me theks të veçantë NATO-n dhe ShBA-në.

Ai teksa falënderoi partnerët e Kosovës, theksoi se ky projekt do të jetë në dispozicion edhe për ushtarët paqeruajtës në Kosovë.

“Tashmë kemi pranuar dritën jeshile. Po flasim për Aeroportin e Gjakovës dhe Babaj të Bokës. Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes. Në Babaj të Bokës do të shndërrohet në zonën operacionale të FSK-së ku do të ndërtohen poligone taktike moderne sipas standardeve të NATO-s”, tha ai në një konferencë për media.

“Poligonet taktike në BAbaj të Bokës do të jenë poligone moderne të dizajnuara nga oficerët tanë që do të ndërtohen sipas standarave të NATO-s dhe ushtrisë amerikane. E falënderoj ekipin që e kanë kryer punën me partnerët tanë. Këto poligone taktke, do të jetnë funksion jo vetëm për ushtrinë e Kosovës, por edhe për të gjithë partnerët tanë strategjikë”, tha ai.

Përmes këtij projekti sipas Mehajt, jo vetëm që ruhet por edhe modernizohet Aeroporti i Gjakovës.

“Ndërkohë, Aeroporti i Gjakovës, planifikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme me qëllime operacionale për Ushtrinë e Kosovës, në të cilat projekte në mënyrë direkte do të investohet edhe nga partneri ynë strategjik, në krye me ShBA-të”, shtoi ai.

Ndërkohë, ministri Aliu tregoi se “për ne ka qenë kënaqësi dhe privilegj të punojmë që sa më shpejtë të realizojmë detyrat në fushën e shpronësimit dhe kadastrës”.

“Kemi arritur gjatë vitit 2022 t’i kryejmë me sukses procedurat e shpronësimit për dy projekte të ministrisë së Mbrojtjes. Qeveria e Kosovës i ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim”, u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *