Sa milionerë janë prokurimi në Kosovë?

1.2 milionë është vlera e përbashkët e pasurisë së paluajtshme dhe asaj të luajtshme të disa prej zyrtarëve kryesorë të Prokurimit Publik në Kosovë. Rreth 400 mijë euro është vlera e parave që ata i mbajnë të gatshme në bankë.  Shifrat marramendëse janë nxjerr nga grumbullimi i pasurisë, i cili është bazuar në të dhënat e publikuara nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Fjala është për komplet anëtarët e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kryetarin e bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, zv.drejtorin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, shefin e prokurimit në Telekom dhe atë në KEK. Neutral do të ua sjellë më poshtë në detaje pasurinë e secilit prej tyre.

Sa peshon pasuria e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit?

Pasuria e paluajtshme e zyrtarëve publikë që përbëjnë bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit kap vlerën e 279 mijë eurove në total.

Fjala është për pasurinë e kryetares së bordit, Vjosa Gradinaj-Mexhuani, anëtarit, Vedat Poterqoi, anëtarit Agon Ramadani dhe po ashtu Kimete Gashi, shkarkimin e së cilës e kërkoi personalisht kryeministri Albin Kurti . Bordit i mungon edhe një anëtar, meqë Nita Bejta kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pak muaj pas emërimit.

Familjarë të Vjosa Mexhuanit, Agon Ramdanit dhe Kimete Gashit kanë aksione nëpër disa biznese të ndryshme. Komplet anëtarët e bordit kanë pasuri të luajtshme 73 mijë euro, shkruan Neutral.

Vjosa Gradinaj-Mexhuani, kryetare e bordit të OSHP-së

Vjosa Gradinaj Mexhuani është kryetare e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, apo siç njihet ndryshe Gjykatës së Tenderëve.

Ajo në deklarimin e pasurisë ka paraqitur dy toka, të cilat në total kapin shifrën e 30 mijë eurove. Thotë se banon me qira në lagjën Arbëria. Paguan 250 euro në muaj.

Sa i përket pasurisë së luajtshme, ka paraqitur një “Audi” në emër të bashkëshortit në vlerë 22 mijë euro dhe aksesorë të ndryshëm në vlerë prej 11 mijë e 500 eurove.

Në total shifra e pasurisë së luajtshme të saj arrin vlerën e 33 mijë e 500 eurove, raporton Neutral.

Bashkëshkorti i saj ka 100 % të aksioneve në firmën Five and CO LLC, ku fitimet vjetore sipas saj kapin vlerën 8 mijë deri në 10 mijë euro.

Vjosa Gradinaj ka 2 mijë euro të tubuara në bankë. Burri i saj, 35,737 sosh.

Kryetarja e bordit të OSHP-së ka deklaruar pagë vjetore 6 mijë e 870 euro. Bashkëshorti i saj, 5900.

Formularin e pasurisë së saj e gjeni këtu.

Vedat Poterqoi, anëtar i OSHP-së, me shtëpi 150 mijë euro

Vedat Poterqoi është njëri nga anëtarët e bordit të OSHP-së.

Ai ka paraqitur të pasuria e paluajtshme një shtëpi në vlerë 150 mijë euro.

Nuk ka aksione, detyrime financiare, kriptovaluta apo para të gatshme, raporton neutral.

Paga e tij vjetore është 6,845.43 €. Prindërit e tij arkëtojnë 1,200 euro nga pensionet. 480 euro, bashkëshortja.

Formularin e pasurisë së tij e gjeni këtu.

Agon Ramadani i OSHP-së, mijëra euro të hyra

Agon Ramadani është po ashtu anëtar i OSHP-së.

Ai ka paraqitur në formularin e deklarimit të pasurisë tek pasuria e paluajtshme një banesë në vlerë 60 mijë euro.

Sa i përket asaj të luajtshme, një veturë të tipit Mercedes që “peshon” rrafsh 19 mijë, e blerë në vitin 2022.

Ka 100 % të aksioneve në ndërmarrjen individuale, B.I. Posedon kriptovaluta në vlerë 300 euro, transmeton netural.

Të ardhurat vjetore të tij janë mbi 20 mijë euro, burimi i të cilave është nga tri punë të ndryshme.

Kurse gruaja fiton rreth 6 mijë euro në vit nga biznesi.

Formularin e pasurisë së tij e gjeni këtu.

Pasuria e anëtares së OSHP-së, shkarkimin e të cilës e kërkoi Kurti

Kimete Gashi në deklarimin e pasurisë ka paraqitur një banesë në shumën e 39 mijë eurove.

Tek pasuria e luajtshme, dy vetura të tipit golf, në vlerë 20 mijë e 500 euro, pronësi e bashkëshortit.

Ky i fundit ka aksione nëpër tri kompani të ndryshme, shkruan neutral.

Kimete Gashi ka deklaruar pagë vjetore prej 6 mijë e 600 eurove.

Formularin e pasurisë së saj e gjeni këtu.

Shefi pasanik i Telekomit/Pasuria gati gjysmë milionëshe e Fatmir Gjonbalajt

Shef i prokurimit në Telekom, Fatmir Gjonbalaj ka deklaruar 360 mijë euro pasuri të paluajtshme, në pronësi të tij dhe prindërve. Këtu hyjnë një truall në vlerë 200 mijë euro, banesa 40 mijë sosh, dy toka 60 mijë euro dhe një shtëpi 30 mijë sosh.

Ai tek pasuria e luajtshme ka deklaruar një veturë Audi në vlerë 31 mijë e 860 euro. Nuk figuron se ka aksione, letra me vlerë apo kriptovaluta.

Gjonbalaj ka 65 mijë euro të gatshme në bankë dhe 58 mijë dollarë. Prindërit e tij rreth 8 mijë euro dhe mbi 10 dollarë. Bashkëshortja e tij mbi 160 mijë euro. Fëmijët rreth 10 mijë.

Vlera totale e parave të gatshme është 247 mijë e 944 euro, plus 68,956 dollarë që përkthyer në euro i bie 63 mijë e 167.

Ai gëzon të drejtën e borxhit nga dy persona, në total 25 mijë euro.

Paga e tij vjetore është mbi 16 mijë euro. Gati kaq merr edhe bashkëshortja e tij. Prindi i tij merr pension 1200 euro në vit.

Kryetari i Bordit të KRRP-së “gufon” prej të hyrave vjetore

Kryetari i bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej 355 mijë eurove, ku hyjnë një truall, dy banesa dhe një lokal.

Ka një veturë të tipit Volksvagen në vlerë 9 mijë e 500 euro. Kaq sa i përket pasurisë së luajtshme. Nuk ka aksione, letra me vlerë e as kriptovaluta. Ka kredi në vlerë 30 mijë euro dhe gruaja e tij një tjetër në vlerë 50 mijë sosh. Ka mbi 14 mijë euro para të gatshme në bankë bashkë me gruan.

Të hyrat vjetore nga paga dhe qiraja e lokalit kapin shifrën e 18 mijë e 947 eurove. Rreth 20 mijë në vit i arkëton gruaja.

Formularin e pasurisë së tij e gjeni këtu. 

Pasuria dhe të ardhurat e majme të zv//drejtorit të Agjencisë Qendrore të Prokurimit

Behxhet Rukiqi është zëvendësdrejtor i Përgjithshëm në Agjencinë Qendrore të Prokurimit.

AQP është përgjegjëse për zhvillimin e prokurimeve të përbashkëta për autoritetet kontraktuese.

Pasuria e paluajtshme e Behxhet Rukiqit kap vlerën e rreth 100 mijë eurove. Ai ka regjistruar një banesë në vlerë 70 mijë euro dhe një shtëpi 27 mijë sosh.

Nuk posedon pasuri të luajtshme, letra me vlerë e as aksione vetë. Megjithatë bashkëshortja e tij zotëron 12.5 % të aksioneve në firmën ALVIS / Eurokos.

Rukiqi s`ka kredi, kurse gruaja e tij duhet t`i lajë rreth 60 mijë euro borxhlinjve.

Zëvendësdrejtori i AQP-së merr mbi 13 mijë euro rrogë në vit. Gruaja e tij ka mbi 47 mijë euro të hyra vjetore.

Formularin e plotë të pasurisë e gjeni këtu.

Shefi i “varfër” i Prokurimit në KEK

Ymer Dragusha është ushtrues detyre i shefit të prokurimit në KEK.

Ai ka deklaruar pos një tokë si pasuri të paluajtshme në vlerë 54 mijë euro.

Nuk ka pasuri të luajtshme, aksione, letra me vlerë, kriptovaluta. Ai dhe bashkëshortja i kanë 29 mijë euro të gatshme në bankë.

Merr pagë vjetore prej 22 mijë eurove në vit. Fëmijët e tij gjithsej 7 mijë e 500 euro.

Formularin e pasurisë së tij e gjeni këtu.

Përndryshe, prokurimi është “pika më e zezë” e Kosovës në raportet vendore dhe ndërkombëtare. Disa zyrtarë të prokurimit , si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, janë arrestuar nën dyshimet për korrupsion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *