Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të ndërmarrjes Trepça, ka kërkuar nga menaxhmenti i ndërmarrjes që pagat e punonjësve të ekzekutohen jo më larg se me datë 10 të muajit pasues.
Po ashtu në një mbledhje të jashtëzakonshme është marrë vendim që të hapet konkursi për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Trepça Sh.A, e cila aktualisht është me ushtrues detyre të kryeshefit, në të cilin pozitë është Enis Abdurrahmani, shkarkimi i të cilit ishte njëra nga kërkesat e minatorëve gjatë grevës së tyre 10 ditëshe.
Minatorët e Trepçës kanë mbajtur grevë, duke kërkuar kushte më të mira të punës, mos vonesë në paga dhe shkarkimin e u.d kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes, Enis Abdurrahmani.
Dhjetëra minatorë kanë kërkuar ndihëm mjekësore për shkak të keqësimit të gjendjes shëndetësore gjatë grevës.
Njoftimi i plotë nga mbledhja e bordit të ndërmarrjes Trepça.
Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me datë 05/11/2023 ka diskutuar situatën e krijuar së fundmi në Ndërmarrjen Trepça SH.A dhe ka prioritizuar kërkesat e minatorëve në letrën që ka adresuar për Bordin me datë 02/11/2023. Kështu, Bordi ka marrë këto veprime:
1. REKOMANDIM që të punohet në ngritjen e përfomances së ndërmarrjes për të siguruar stabilitet financiar dhe rrjedhimisht paga e punonjësve për muaj të ekzekutohet jo më larg se data 10 e muajit pasues.
2. VENDIM që të hapet konkursi për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Trepça Sh.A duke qenë se kjo pozitë ka qenë me ushtrues detyre për periudhë pothuajse 2 vjecare.
3. VENDIM që Menaxhmenti i Trepça me urgjencë të formojë komision për të paraqitur gjendjen saktë të kushteve të punës dhe të punoj në identifikimin dhe ofrimin e kushteve më të mira të punës.
4. SHQYRTIM i vendimeve në vazhdimësi konform rregullave dhe ligjeve në fuqi, posacerisht ato për situaten e krijuar së fundmi.
Bordi siguroi edhe njëherë menaxhmentin që do të vazhdojë të punoj në të mirë të Ndërmarrjes dhe me profesionalizëm e përkushtim do të identifikojë dhe trajtojë të gjitha çështjet me qëllim të avansimit të objektivave strategjike të Ndërmarrjes.
Për Trepça!
Bordi I Përkohshëm i Drejtorëve