Ishin kohëra çudie të llojit vet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njxerrë një, sipas tij, “plan pesë pikësh për shtensionim”, që s’dihej kujt ia drejonte – vetes si formë vetë-argëtimi apo partnerëve të cilët në tryezë kishin nisur të hartonin sanksione ndaj Kosovës, për herë të parë në historinë e vendit.
Atë plan, Kurti e valviste në konferenca shtypi e para gazetarëve, thuase ishin pesë pika të hartuara nga vetë Euklidi.
S’ia kishte dëgjuar kush, siç s’e kishte dëgjuar kënd as ai – prej partnerëve të brendshëm të sigurisë, EULEX-in dhe KFOR-in, e deri te aleatët kyç si Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Gjermania, etj – të cilët edhe do të nisnin sanksionimin.
Këtij stër-deklarimi “pesë-pikësh” dhe mënyrës se si e paraqiste për audiencë të brendshme i ishte përgjigjur vetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
“Pasi Josep Borrell e pranoi dhe lexoi letrën e publicizuar për së tepërmi të Kurtit, ai u përgjigj plotësisht, duke shpjeguar pritshmëritë e BE-së”, do të shkruante Stano në Twitter, ku do të publikonte letrën e Borrell-it.
Përveç se ia shpërfillte “pesë pikat”, Borrell do t’i kërkonte Kurtit dorëheqjen e kryetarëve legalë – ndonëse jo legjitimë – në katër komunat veriore; kjo sepse, sipas tij, “është mënyra më e shpejtë dhe më e lehta, përmes dorëheqjes së kryetarëve”.
Dështimi për përmbushjen e planit 3 pikësh zyrtar të 27 shteteve të BE-së, paralajmëronte Josep Borrell, “do të bartë pasoja negative” dhe se “Shtetet Anëtare janë informuar për masat dhe ne do t’i komunikojmë ato publikisht”.
Kosovo: After @JosepBorrellF received and read the highly publicised letter from Prime Minister Kurti, he answered, explaining 🇪🇺 expectations and steps needed for true de-escalation. Here is the response in full: pic.twitter.com/HDa2k66hMt
— Peter Stano (@ExtSpoxEU) June 14, 2023
Shenjë Kurtit lënë s’ia kishte.
Masat erdhën.
Përveç kësaj letreje e datës 14 qershor, BE kishte dalur me deklaratë më 3 qershor, ku i kishte rënë borisë së paralajmërimit për sanksionim – s’do shumë mend, pa rezultat.
Dy muaj më vonë, pas sanksionimit brutal të vendit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes vartësit të tij, bëri një marrëveshje në Bratisllavë me ndërmjetësin për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për shtensionim të situatës.
Por, Besnik Bislimit, i dolën llogaritë gabim.
Masat s’u hoqën, ndonëse pandehën se me ato dakordësime të Bratisllavës – përgjysmim të prezencës së njësive speciale në veri dhe hartimin e një udhëzuesi administrativ për largim të kryetarëve – ato do të mund të zhbëheshin.
Qeveria e Kosovës, kërkon kthim në “pikën zero”, teksa thotë se po përmbushin tashmë deklaratën e 3 qershorit. Megjithatë, as kjo s’qëndron, ngase janë si vijon:
(1)Tërheqja e njësive speciale nga-dhe-rreth ndërtesave komunale, (2)kryetarët legalë (ndonëse jo legjitimë) të kryenin detyrat e tyre nga ndërtesa alterrative, (3)shpallja e samëparshme e zgjedhjeve të reja me pjesëmarrje të plotë të serbëve të Kosovës në to.
BE e ka parë me skepticizëm të madh këtë metodën e shkarkimit përmes një udhëzuesi administrativë, dhe kanë lënë të kuptojnë që s’e miratojnë.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se ditëve në vijim do të konkludohet hartimi i udhëzuesit administrativ për largimin e kryetarëve në veri.
“Deri tash gjithçka është në rregull, grupi punues ka pasur dy takime. Dhe unë nuk mund të diskutoj mbi një udhëzim administrativ të cilin ende nuk e kemi për konsultim publik dhe unë ende nuk mund të jap asnjë detaj shtesë”, deklaroi Krasniqi për KosovaPress.
Ky proces, sipas tij, “do të determinohet ditëve në vijim”.
“Si ministri dhe si ministër kam mbuluar përgjegjësinë time duke filluar me udhëzimin administrativ, i cili parasheh të drejtën e qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga detyra. Kjo nuk është për veriun, kjo mund të aplikohet nesër edhe për kryetarin e Gjakovës dhe cilindo kryetar të Kosovës, kështu që në këtë moment nuk dua të diskutojë më shumë rreth produktit, sepse në fund të muajit do të kemi një produkt nga grupi punues”, tha ai./nacionale/