Një 17-vjeçare në Kamëz ka përjetuar momente ankthi dhe frike pasi ish-i dashuri i saj 36-vjeçar e përndiqte pasi nuk pranonte ndarjen. Sipas “TCH” e mitura ishte ndarë nga 36-vjeçari Fatmir Tuci një vit më parë por Tuci nuk e pranonte këtë fakt dhe tentonte të komunikonte me çdo kusht me të miturën. E frikësuar, 17-vjeçarja i është drejtuar Komisariatit nr.5 ku ka kryer kallëzim dhe më pas autori është arrestuar.
36-vjeçari Fatmir Tuci rezulton me precedent të mëparshëm penal pasi në 2011 ai ka vrarë me armë zjarri xhaxhain e tij Agustin Tuçi pas një sherri për pronën në fshatin Konaj të Mirditës. Të shkuarën e tij kriminale ai e përmendte edhe me të miturën për ta kërcënuar. Kjo e fundit në denoncimin e saj në polici ka treguar se pas ndarjes e kishte bllokuar Tucin në çdo rrjet social pasi nuk donte të kishte lidhje me të, por 36-vjeçari nuk e linte të qetë edhe në vende publike ku ajo ishte me njerëz të tjerë.
E bllokova në çdo rrjet social pas ndarjes sepse nuk doja të kisha më kontakte me të por ai nuk më ka lënë rehat. Nisa një kurs parukerie dhe shkoja çdo ditë në salon. Sapo Fatmiri mësoi adresën më vinte aty dhe bënte skena. Më thoshte se i përkisja atij dhe nuk do më linte kurrë të qetë.
Pas denoncimit 36 vjeçari u vu në pranga dhe do të përballet me drejtësinë për veprën penale të përndjekjes dhe rrezikon deri në 4 vite burg.