Pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak në Veri janë mbyllur për qarkullim si pasojë e bllokimit të rrugëve që shpie në drejtim të këtyre vendkalimeve.
Arsyeja e rivendosjes së barrikadave nga komuniteti serb është ndalesa e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Jarinje nga Policia e Kosovës.
“Si rezultat i hetimeve intensive dhe angazhimeve policore, sot në Pikën Kufitare Jarinje është ndaluar personi i dyshuar D.P. (M/S/K), njëherit ish pjesëtar i PK-së, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Nga atje shtojnë se personi i dyshuar ka qenë i përfshirë në organizimin e sulmeve në zyrat e KKZ-së dhe sulmeve ndaj personave zyrtarë të KQZ-së dhe Policisë së Kosovës.
Njëherit, përmes komunikatës Policia e Kosovës i ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e thirrjeve apo provokimeve të mundshme nga persona apo grupe kriminale, por të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës e cila do të vazhdojë të angazhohet për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, si dhe ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës.