Mbi 418 mijë euro tatime të paguara ndaj shtetit nga estrada gjatë 2022-tës, ATK shqiptoi edhe 12 gjoba

Estrada kosovare këtë vit pati një sezon mjaft të zënë sa i përket ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

Dasma, ahengje, koncerte e mbledhi të shumta u mbajtën lirshëm, pasi që përgjatë tërë vitit 2022 nuk pati ndonjë masë restriktive kundër COVID-19 në fuqi, për dallim nga vitet paraprake.

Rrjedhimisht, këngëtarët kosovarë patën edhe përfitime më të mëdha nga aktiviteti i ushtruar, e sidomos në sezonin e verës.

Bashkë me përfitimet, estrada ishte edhe nën “llupën” e Administratës Tatimore të Kosovës, në lidhje me pagesën e obligimeve ndaj shtetit.

Në një përgjigje dhënë Telegrafit, nga ATK (Administrata Tatimore e Kosovës), thonë se përgjatë periudhës janar-nëntor, estrada kosovare ka paguar mbi 418 mijë euro.

E ata që nuk paguajtën rregullisht obligimet apo iu shmangën atyre, u gjobitën. Për këtë shkas, e pësuan 12 persona.

“Estrada e vendit për periudhën janar-nëntor 2022 ka paguar 418, 256 euro, ndërsa janë lëshuar 12 gjoba”, thotë Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së.

“Të dhënat janë bazuar ne profesionin e tyre (muzicient, këngëtar) si dhe në aktivitetin ekonomik (aktivitetet tjera te argëtimit dhe rekreacionit aktivitetet mbështetëse për shfaqje artistike, krijimtari artistike, shfaqje artistike) në të cilin shumë prej tyre janë të regjistruar. Andaj, sa i përket aktiviteteve ekonomike, të dhënat përfshijnë edhe tatimpagues tjerë qe nuk kanë të bëjnë me ketë kategori”, shton ajo.

Ajo thekson se shumica e kësaj kategorie janë të regjistruar si biznese individuale.

Gjithashtu, tregon se një pjesë e tyre kanë edhe marrëveshje me shtetin për të paguar borxhin përmes kësteve, që do të thotë se shuma e paguar këtë vit, mund të jetë akumuluar edhe në vitet tjera.

“Duke pasur parasysh se shumica e kësaj kategorie janë te regjistruar si biznese individuale, dhe koha e deklarimit te fitimeve per komplet vitin paguhet ne kohen e deklarimit te deklaratës vjetore qe është afati nga 1 janar deri me 31 mars), Dhe duhet të kemi parasysh që një pjesë e tyre janë në marrëveshje për të paguar borxhin sipas ligjit ne fuqi që ju mundëson pagesat e borxhit të paguhen me këste”, shton zëdhënësja Sefa.

Valentina Bytyqi – Sefa

Ajo tutje thotë se që nga muajt e verës, ATK është duke bërë grumbullimin edhe të informatave nga palët e treta.

“Po ashtu, Drejtoria e Hetimeve Tatimore gjatë sezonit të verës e deri me tani është duke për grumbullimin e informatave nga palët e treta rreth aktiviteteve të kësaj kategorie, pastaj në fund të këtij viti do të bëhet vlerësimi tatimor”, përfundon ajo.

Vlen të theksohet se përveç në Kosovë, arenë e përshtatshme e veprimit e estradës është edhe diaspora apo vendet e rajonit, që rëndom supozohet se sjellin përfitime edhe më të mëdha monetare se sa ushtrimi i aktivitetit në Kosovë.

Protesta e estradës e organizuar në pandemi

Sidoqoftë, bazuar në marrëveshjet tatimore ndërkombëtare që ka Kosova, këngëtarët paguajnë tatim në shtetet ku performojnë.

Pra nëse një këngëtar kosovar, përformon në Shqipëri, Gjermani apo Zvicër, ai është i detyruar të paguajë tatim në atë shtet, dhe jo në Kosovë. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *