Mbi 2.500 euro borxh për ilaçin që mungon në QKUK

Ilaçi i imunoterapisë Keytruda – Pembrolizumab, i cili shërben për trajtimin e disa llojeve të kancerëve, ka më shumë se një muaj që mungon në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Askush nuk tregon se kur do të mund të bëhet rifurnizimi, e as si mund t’ia dalin pacientët gjatë kohës sa ka mungesa.

Pjetër Zeqiri, në të 60-tat, përdor këtë ilaç së paku një herë në muaj për trajtimin e kancerit në lëkurë.

“Qe dy muaj më së paku, kjo terapi nuk është në Onkologji”, thotë ai.

Zeqiri, i cili vjen nga Komuna e Klinës dhe shërben si pjesëtar i Policisë së Kosovës, thotë se i është dashur të marrë para borxh për ta siguruar privatisht ilaçin.

“Sa kam hequr nëpër Turqi që ta gjej këtë ilaç. E kam blerë 2.565 euro”, tregon tutje.

Doza prej 200 miligramësh, Zeqiri thotë se i duhet vetëm për një përdorim.

“Më 24 të këtij muaji e kam sërish datën kur duhet ta marr dozën tjetër. Nuk e di se si do t’ia bëj”, thotë Zeqiri, duke shtuar se nëse nuk e merr dozën me kohë, do të ketë pasoja në shëndet.

Furnizimi me ilaçe i klinikave në QKUK bëhet nga barnatorja qendrore e këtij institucioni.

Operatori për furnizim zgjidhet nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

SHSKUK nuk i është përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë se përse mungon ky ilaç dhe kur do të mund të sigurohet.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi, thotë se mungesa e ilaçit është pasojë e planifikimeve jo të duhura.

Sipas tij, ilaçi Pembrolizumab është përdorur për disa sëmundje në vitin 2021, ndërsa nga ky vit ka filluar të rekomandohet edhe për disa të tjera.

“Ka dalë pak jashtë planifikimit se janë shpenzuar më shumë. Do të thotë, ka qenë i planifikuar, për shembull, vetëm për mlanoma [sëmundje e lëkurës], kurse tash po jepet edhe për patologji të tjera, për mushkëri, edhe për [probleme në] ezofag e kështu me radhë”, thotë Bislimi.

Ai shton se Pembrolizumabi futet në kategorinë e ilaçeve me kosto të lartë të blerjes.

Imunoterapia kundër kancerit ka nisur të aplikohet në Kosovë nga viti 2021. Ajo është një trajtim i sëmundjes përmes substancave që stimulojnë përgjigjen imune.

Radio Evropa e Lirë ka kuptuar nga punonjësit se në Klinikën e Onkologjisë në QKUK mungojnë edhe medikamente të tjera për trajtimin e pacientëve me kancer. Nga lista esenciale e barnave që duhet t’i ketë klinika, mungojnë rreth 30 për qind e tyre.

Hercept HER2+, që përdoret për trajtimin e kancerit në gji, është një prej atyre që mungon.

Për pasojë, pacientët përpiqen ta sigurojnë vetë, pavarësisht kostos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *