Martesa mes gjinisë së njëjtë/ Qeveria sjell dy versione për Kodin e ri Civil, opsion krijimi i një ligji të veçantë 

Përmes Kodit të ri Civil, ka shpresë të hapet rruga që të gjithë qytetarët e Kosovës të kenë të drejtë të martohen me partneret/ët e tyre, pavarësisht gjinive që e përbëjnë çiftin. Ky projekt-kod ka nxitur debat të madh muaj më parë në Kuvend.

E pas rreth shtatë muajve, kjo çështje do të kthehet sërish për votim në Kuvendin e Kosovës i cili pritet që gjatë kësaj jave të hidhet në votim.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për medie, tha se kësaj radhe shpreson që do të kalojë projekt-kodi, duke theksuar se Qeveria Kurti II angazhohet për të drejtat e njeriut.

“Besoj që shumë shpejt e procedojmë në Kuvendin e Kosovës dhe kësaj radhe do të kalojë në Kuvend, për faktin se është dokument i rëndësishëm. Gjatë kësaj kohe kemi pasur takime me grupin parlamentar, qeveria jonë dhe grupi parlamentar angazhohen për avancimin e të drejtave të njeriut. Duke e pasur parasysh rëndësinë e Kodit Civil, besojmë se do të miratohet në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Haxhiu pas mbledhjes së Qeverisë.

Ndryshe, 14 deputetë të partisë në pushtet (LVV), kanë votuar kundër projekt-kodit Civil. Megjithatë, Haxhiu u shpreh se nuk e di cili grup do të votojë “për”.

“Kjo bazohet në takimet që kemi pasur me grupin parlamentar. Nuk them që secili prej grupit do të votojë për, ka ende disa që kanë qëndrime dhe bindjet e tyre, por Qeveria dhe grupi parlamentar me shumicë angazhohet për avancimin e të drejtave të njeriut. Për hir të proceseve që kemi apliku, p.sh. aplikimi në Këshillin e Evropës dhe për t’u bërë anëtar, duhet të respektohen të drejtat e njeriut. Shpresoj ta kemi mbështetjen jo vetëm të grupit parlamentar, por edhe të opozitës”, u shpreh Haxhiu.

Në anën tjetër, Gazeta Sinjali nga burimet e saj merr vesh se Qeveria ka përgatiur dy versione për Kodin e ri Civil,

Sipas këtij burimi të mirëinformuar, në njërin version është larguar definimi i “bashkësisë civile” dhe është zëvendësuar me martesë, por për këtë çështje është vënë si mundësi krijimi i një ligji të veçantë.

Ndërsa, në versionin e dytë janë shtuar tri paragrafe, megjithatë qëndron me bazë të versionit të parë.

Çfarë saktësisht thuhet në draftin e Kodit të ri Civil, për martesat?

MD-ja e konsideron se procesi i hartimit dhe finalizimit të Projekt Kodit Civil, ka qenë gjithëpërfshirës dhe transparent, i hartuar në linjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

Për çështjen e martesave, në nenin e draft-Kodit 1138 të tij, janë 4 pika.

Për pikën e parë, thotë MD-ja, projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës ka arritur të ruaj “identitetin tradicional të martesës në Kosovë mes burrit dhe gruas”.

“Pra me hyrjen në fuqi të Kodit Civil, martesa është e lejuar vetëm ndërmjet burrit dhe gruas”, apostrofojnë nga kjo ministri.

Pika e dytë e nenit, ajo më e diskutueshmja, thotë se bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura, thuhet aty, rregullohen me ligj të veçantë, i cili pritet të bëhet më pas.

“Megjithatë, me qëllim që hartimi i Projekt Kodit Civil të Kosovës të jetë në përputhje dhe në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, paragrafi 2 i nenit 1138 të Projekt Kodit Civil, ka paraparë që bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara, por që kushtet dhe procedura e tyre do të rregullohen me ligj të veçantë”, thuhet në sqarimin e MD-së për pikën, që është më e diskutueshmja e kësaj pjese të Kodit.

Hartimi i Kodit Civil

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në nenin për të Drejtën e Martesës dhe Familjes thuhet se ‘’Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin; 2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve; 3. Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj’’.

/GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *