Sot nga ora 14:00 është planifikuar nisja e “Marshit për Drejtësi” e organizuar për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
Gjatë ditës së djeshme organizatorët e këtij marshi bënë thirrje që në këtë marsh të ketë dalje masive të qytetarëve të Kosovës.
Mbledhja e qytetarëve do të bëhet fillimisht në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe më pas do të vazhdojnë kah sheshi “Skënderbeu”.
Njëra nga organizatoret, Eliza Hoxha dje tha se për këto dy javë sa është bërë fushata për organizim, ftesat për pjesëmarrje kanë gjetur përkrahje të jashtëzakonshme.
Kurse Ismail Tasholli, tha se qëllimi i marshimit është për të mbrojtur të vërtetën e Kosovës, e që sipas tij, është UÇK-ja.
“Siç e dini e kemi për mision qytetar që me të drejtën tonë ta mbrojmë, këtë rast UÇK-në. Ushtria Çlirimtare ka bërë luftë të drejtë, këtë të vërtetë duhet ta ruajmë të gjithë, është e vërteta e Kosovës” – tha ndër të tjera Tasholli.
Ndryshe ‘Marshin për Drejtësi’ e ka mbështetur edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca.