Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka njoftuar se dy djem me origjinë shqiptare kanë rënë në luftë në Ukrainë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Majko ka thënë se që të dy ishin ushtarë në ushtrinë e Ukrainës dhe bëhet fjalë për 43-vjeçarin Dermentli Anatoly dhe 21-vjeçarin Haydarzhy Danylo.
“Dermentli Anatoly ishte nga fshati shqiptar i Karakurtit (në rajonin e Odesës). Ai kishte lindur më 3 shtator 1980. U mobilizua në Brigadën e mekanizuar Nr.118 në rajonin e Zaporozhias. Në 15 tetor, humbi jetën, në një mision luftimi. Haydarzhy Danylo u lind në një familje shqiptare në 26 janar 2002 në fshatin Georgivka (rajoni i Zaporozhias). Ai ishte fëmija i dytë në familjen e tij, cila aktualisht, jeton ende në zonën e okupuar nga trupat ruse. Kur filloi lufta ai ishte në Poloni. Në verën e 2022, ai shkoi vullnetarisht për tu mobilizuar, por u refuzua (për shkak të moshës). Në vitin 2023 pas ditëlindjes së 21-të ai aplikoi sërish dhe shërbeu vullnetarisht në Forcat e Armatosura të Ukrainës. Ai shërbeu në njësinë ushtarake A290 dhe dha jetën në zonën e luftimeve në fshatin Liman, pranë qytetit Kupiansk, në rajonin e Kharkivit”, ka njoftuar Majko.
Sipas tij, të dielën në qytetin e Zaporozhias janë zhvilluar ceremonitë funerale të të dy shqiptarëve.
Në ceremoninë e varrimit pranë flamurit të Ukrainës është vendosur edhe flamuri kombëtar shqiptar.