Ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bardhyl Mahmuti, ka nisur dëshminë në Gjykatën Speciale me kërkesë të avokatëve të Pjetër Shalës i cili akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar kur supozohet se u keqtrajtuan njerëz.
Ai po përgjigjet në pyetjet e avokatit Jean-Louis Gilissen, derisa ka treguar se ka qenë i angazhuar në mbrojtjen politike të UÇK-së, për të arsyetuar në rrafshin diplomatik domosdoshmërinë e luftës çlirimtare të UÇK-së.
“Kam shkuar në Shqipëri si anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Gjatë luftës kam pasur dy funksione, kam qenë përfaqësues politik i UÇK-së dhe anëtar i kryesisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës”, tha ai.
“Nga qershori 1998 deri në qershor kur ka përfunduar lufta në Kosovë, asnjëherë s’kam qenë në Kukës, përveç në Tiranë dhe Durrës, asnjë vend tjetër s’kam qenë gjatë periudhës 1 qershor 1998 – 12 qershor 1999’’, shtoi Mahmuti.
Ai ka thënë se nga Shqipëria është në larguar në fund të muajit prill të vitit 1999.
“Mund ta them se dalja duhet të jetë nga fundi i muajit prill, e deri në qershor në përfundim të luftës nuk kam qenë në Shqipëri, sepse kam qenë në Zvicër, Gjermani, Francë dhe Belgjikë”, tha dëshmitari.
Mahmuti tha se në periudhën qershor 1998 -qershor 1999 ka shkuar në Francë, Gjermani, Angli, ShBA, Itali, Austri, Slloveni, Shqipëri, Belgjikë, Holandë, e në shumë vende.
Ndërsa me kërkesë të avokatit Gilissen, seanca po vazhdon në sesion privat.
Pjetër Shala u arrestua me 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge.
Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.
Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.