Lulëkuqja e Kosovës, simboli i propozuar për gjenocidin mbi shqiptarët

Ndonëse kanë kaluar 24 vjet nga lufta në Kosovë, dhe ky shtet ka shpallur pavarësinë e saj tash e 15 vjet, mirëpo ende mbeten të gjalla plagët e popullit kosovar dhe vuajtjet e shkaktuara nga ushtria serbe.

Si rrjedhojë e kësaj, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ditë më parë ka bërë publike një iniciativë që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Ideja e kësaj iniciative, siç thonë ata, është për të memorizuar përjetë kujtimet e një epoke të errët e një qëndrese heroike përballë një ideologjie të errët shoveniste pushtuese.

Kjo kërkesë tashmë i është përcjellë Presidentes së Kosovës, Kryeministrit të Kosovës, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës si dhe të gjitha partive politike.

Përshkrimi i Lulëkuqes

Katër petalet e lulëkuqes përbëjnë katër format e gjenocidit në Kosovë: vrasjet, spastrimi etnik, dhuna seksuale dhe shkatërrimi i objekteve të banimit, atyre kulturore e fetare që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar shqiptar. Në vend të kokrrave të zeza të lulëkuqes, në simbolin e kësaj iniciative janë vendosur figura njerëzish të moshave e gjinive të ndryshme, viktima të gjenocidit, të cilët janë të vendosur në formë rrethi, që do të thotë se ata janë në vuajtje të përhershme dhe kërkojnë drejtësi.

Petalet e lulëkuqes janë vendosur në formë të shkronjës X, meqenëse në shumë vendbanime të Kosovës ku popullata ishte e përzier, forcat serbe kishin bërë me ngjyrë në formë të X-së në dyert e shqiptarëve, në mënyrë që të udhëzoheshin se ku duhet të kryheshin krimet.

Nuancat e ngjyrës, siç shpjegojnë pjesëtarët e kësaj iniciative, janë pikërisht ato që ka edhe flamuri kombëtar i shqiptarëve, për të treguar se qëllimi i Serbisë ka qenë shkatërrimi i shqiptarëve. Petalet e lulëkuqes janë prerë në atë formë që të pasqyrojnë faktin se kanë të bëjnë me një plagë të hapur, e cila do të mbyllet vetëm me arritjen e drejtësisë për viktimat.

Mbështetje gjithëkombëtare për iniciativën

Që nga data 16 nëntor 2022, kur u bë publike kjo iniciativë, për ditë e më shumë nuk ka munguar mbështetja gjithëkombëtare.

Duke filluar nga krerë të partive politike në gjithë rajonin, veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare, organizata joqeveritare nga rajoni dhe diaspora, të gjithë njëzëri kërkojnë që me 15 janar, në ditën e përkujtimit të gjenocidit, të përcjellin mesazhin unik se të mbijetuarit e gjenocidit serb nuk do t’i harrojnë kurrë krimet që i ka bërë Serbia kundër popullit shqiptar dhe se do të jenë unikë në ndriçimin e plotë të këtij krimi monstruoz.

Një lule e ngjashme si e Srebrenicës

Lulja e Srebrenicës ose lulja “Kujtimi”, është një simbol jozyrtar i gjenocidit në Srebrenicë që ndodhi gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë në 1995 dhe ka formën e ngjashme me lulëkuqen.

Lulja është dizajnuar nga gratë e një shoqate të Graçanicës, dhe për herë të parë është prezantuar para publikut më 1 korrik 2011.

Ngjyra e bardhë e petaleve të luleve përfaqëson pafajësinë ose vuajtjen, ngjyra e gjelbër në qendër të lules përfaqëson shpresën dhe 11 petalet simbolizojnë 11 korrikun e vitit 1995.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *