Limaj thotë se Kurti po bën rima: Me gënjeshtra e mashtrime po mundohet ta mbulojë të vërtetën e hidhur, ‘Zajednicën’

Kreu i partisë Nisma, Fatmir Limaj thotë se kryeministri Kurti është zhytur në gënjeshtër e mashtrim.

Limaj në një prononcim për GazetaBlic thekson se me qasjen e tij të fundit pas takimeve në Bruksel, kryeministri po bën rima e lojëra fjalësh.

“Kurti është zhytur në gënjeshtër e mashtrim, si ka mbetë gjë tjetër përveç me u marrë me rima e lojra fjalësh”, tha Limaj.

Sipas tij, Kurti po mundohet ta mbulojë të vërtetën e hidhur që sipas tij është pranimi i ‘Zajednicës’.

“Këtë po e bën që ta mbulojë të vërtetën e hidhur, Zajednicën, pa njohje as në qendër e as në periferi”, tha Limaj për GazetaBlic.

Kujtojmë se, Qeveria e Kosovës ka dalë me njoftim për mediat pas takimeve të fundit të kryeministrit Kurti në Bruksel, duke thënë se “Republika e Kosovës e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023.

Këto dokumente të dakorduara janë një sukses i përbashkët me Bashkimin Evropian. Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa.”

“Në fund të takimit, Kryeministri Kurti tha: Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin.”, citohet të ketë thënë Kurti, siç tregon njoftimi i qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *