Ligjet e Kurtit| Analistët: Është bërë standard që çdo ligj të jetë në kundërshtim me Kushtetutën

Njohës të sistemit të drejtësisë dhe analistë politikë, thonë se Qeveria Kurti, e ka bërë standard që çdo ligj që miratohet në Kuvend të njëjtit janë në kundërshtim me parimet bazë të Kushtetutës.

Drejtori i Institutit Kosovar për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka përmendur Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës si ndër Ligjet kryesore që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Miftaraj është optimist se edhe shtatë ligje tjera vështirë se do ta kalojnë filtrin e Kushtetueses.

“E para është normale që institucionet gjatë hartimit të ligjeve, gjatë hartimit të politikave, do të thotë këto politika të jenë në kundërshtim me Kushtetutën, mu për këtë arsye jo vetëm në Kosovë por në demokracitë parlamentare, liberale është paraparë që ligjet, politikat të kalojnë edhe filtrin e Gjykatës Kushtetuese por çka është jo normale është ku një qeveri si qeveria Kurti e ka bërë si standard që çdo ligj që miratohet në Kuvend të njëjtit janë në kundërshtim me parimet bazë të Kushtetutës ose parimit që i kufizojnë të drejtat dhe lirit e njeriut”, tha Miftaraj.

“Tash nuk po flasim vetëm për ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës të cilin ligj ne si IKD kemi besuar fuqishëm që do ta kaloj filtrin e Gjykatës Kushtetuese, e përsërisë me kusht që Ministria e Drejtësisë do të ishte në gjendje ta argumentonte me dëshmi këtë pranë Gjykatës Kushtetuese, nuk e kanë bërë dhe i njëjti do të thotë u shpall kundër kushtetuese. Kemi edhe një mori ligjesh të tjera që sot janë në procedurë në Kuvendin e Kosovës, ose janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës e të cilat janë subjekt i atakimit në Gjykatën Kushtetuese, në raportin e fundit që ne si IKD e kemi publikuar lidhur me monitorimin e efikasitetit të qeverisë në miratimin e politikave na ka dalur që vetëm gjatë vitit 2022 janë miratuar apo janë në proces të miratimit në Kuvend shtatë ligje të cilat kanë probleme do të thotë të cilat vështirë se do të kalojnë filtrin”, tha Miftaraj.

Ndërsa analisti politik, Bekim Kabashi, vlerëson se partia në pushtet ka pasur për synim që ta kap sistemin e drejtësisë në vend.

Kabashi thotë se Qeveria, me vetëdije ka dashur që kompetencat e KPK-së t’i bartë te ekzekutivi. Këtë e quan të dëmshme për vendin.

“Mendoj që Lëvizja Vetëvendosje në këtë rast Qeveria e Kosovës, me vetëdije të plotë ka bërë veprime të tilla, duke shpresuar që ai ligj nuk do të kontestohet, për arsye se në formën qysh është përpiluar është tentuar që të kapet sistemi i drejtësisë në këtë rast Prokuroria por që ka efekt pastaj edhe tek gjyqësori. Duke u kapur sistemi i drejtësisë, në këtë formë kapet komplet shteti dhe është fakt se Kosova ka hallka të institucioneve të pavarura siç është Gjykata Kushtetuese dhe ka shpëtuar sistemin e drejtësisë nga kapja e politikës, sepse në formën siç është pretenduar të bëhej ky ligj, atëherë do të ishte komplet në kompetencat e Qeverisë, partisë politike e cila qeveris me vendin, në këtë rast është sot Lëvizja Vetëvendosje, por kjo do të kishte pasoja në të ardhmen sepse mund të jetë edhe një parti tjetër nesër dhe do të bëhej një sistem i cili sa herë ndërrohen partitë, do të ndërroheshin edhe përfaqësuesit politikë në sistemin e drejtësisë të vendit”, tha ai.

“Shiko Lëvizja Vetëvendosje si parti politike edhe në të kaluarën kur ka qenë në opozitë, nuk është që ka treguar respekt për sistemin kushtetues të Kosovës, ne e dimë që Kushtetuta e Kosovës, ky sistem kushtetues i Kosovës është ‘Ahtisaarian’, pra është i bërë në bazë të konceptit, plani të Ahtisaarit dhe Lëvizja Vetëvendosje e ka luftuar këtë sistem, madje mund të themi që kjo parti politike i ka edhe dy heronjë të kësaj luftë, kësaj beteje të cilët i përkujton çdo vit janë, demonstrata e vitit 200, kur Lëvizja Vetëvendosje proteston kundër planit të Ahtisaarit dhe në atë demonstratë vriten dy njerëz, e ata sot janë heronj të Kosovës, pra sipas Lëvizjes Vetëvendosje dhe kjo i bie që kjo parti politike është munduar në vazhdimësi ta përmbysë këtë sistem”, tha ai./EO

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *