Letra e dorëheqjes së një polici: Nuk kam menduar ta lëshojë Kosovën, por paga prej 420 euro nuk më mjafton

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka shpalosur shqetësimin e dorëheqjeve brenda policisë, për shkak të kushteve të këqija të punës.

Në Sytë 7 në Klan Kosova, duke ngritur këtë problematikë, ai ka lexuar letrën e dorëheqjes së një zyrtari policor e bërë vetëm dy ditë më parë.

Letra e dorëheqjes së dorëzuar nga polici, të cilën Zeqiri e lexon, shkruan: “Ju njoftoj se nga data 2.10.2023, jap dorëheqje vullnetare nga puna për arsye personale dhe ekonomike”.

 “Kam nënshkruar kontratë me Policinë e Kosovës duke pranuar kushtet e pagesës, ku nga ministri i Punëve të Brendshme, jemi njoftuar nga mediat se do të paguhet edhe pagesa e rrezikshmërisë në mënyrë retroaktive, gjë që nuk ka ndodhur. Ndërkohë jam pajisur me vizë pune. Nuk kam menduar ta lëshojë Kosovën, por paga prej 420 euro nuk më mjafton dhe kam qëndruar në polici duke menduar se do të më paguhet rrezikshmëria. Duke parë që kjo nuk është duke ndodhur, po jap dorëheqje nga Policia e Kosovës. Kërkoj të ma aprovoni kërkesën time për dorëheqje”, thuhet në letrën e tij.

Dje, anëtarja e Komisionit Hetimor për të Drejta të Njeriut, Ariana Musliu-Shoshi, ka njoftuar se kanë pranuar një peticion nga Sindikata e Policisë së Kosovës, nëpërmjet të cilit kërkohet përmirësim i kushteve të punës.

Musliu-Shoshi ka bërë të ditur se  peticionin e kanë nënshkruar 5623 pjesëtarë të Policisë, e në mesin e kërkesave janë shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fund të vitit për performancë të mirë, tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritje e përvojës së punës, sigurim shëndetësor e jetësor dhe Ligji për pensionim në Polici.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *