Blerim Latifi, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka reaguar rreth debatit për kërkesën e BIK-ut për lejimin e shamisë në shkolla.
Përmes një postimi në Facebook, Latifi ka thënë se, çikat e Kosovës dikur nuk i lejonin të shkonin në shkollë, pastaj i vrisnin, ndërsa sot në liri po duan t’i mbulojnë dhe t’i arabizojnë, shkruan lajmi.net.
“Kjo është historia tragjike e çikave të Kosovës: Dikur nuk i lejonin me shku në shkollë, pastaj, në një kohë tjetër, i helmonin në shkolla, pastaj erdhi një kohë kur i vrisnin, i masakronin e i përdhunonin, e sot, sot në liri, po duan t’i zezojnë, t’i mbulojnë, t’i arabizojnë, t’u vënë në ballë shenjën e të qenit pronë e burrave primitivë”, ka thënë ndër tjerash Latifi.
Tutje Latifi ka thënë se politikanët heshtin sepse mendjen e kanë tek pushteti, ndërsa intelektualet nuk flasin sepse disa prej tyre ndihen të frikësuar.
Postimi i plotë:
Kjo është historia tragjike e çikave të Kosovës:
Dikur nuk i lejonin me shku në shkollë, pastaj, në një kohë tjetër, i helmonin në shkolla, pastaj erdhi një kohë kur i vrisnin, i masakronin e i përdhunonin, e sot, sot në liri, po duan t’i zezojnë, t’i mbulojnë, t’i arabizojnë, t’u vënë në ballë shenjën e të qenit pronë e burrave primitivë.
Dhe politikanët heshtin, sepse mendjen e kanë veç te pushteti i tyre personal, te votat, për të cilat janë në gjendje të koketojnë edhe me dreqin e me t’birin.
Heshtin edhe intelektualët!
Disa nuk kanë guxim të flasin, sepse ndihen të frikësuar nga falangat digjitale vahabiste, e shumë të tjerë sepse e kanë shitë shpirtin.
Kështu çikat e Kosovës po bëhen viktimat e para të projektit perfid të Serbisë për t’i bindë ata që e mbajnë gjallë shtetin e Kosovës, botën perëndimore, se ky shtet nuk bëhet dot, sepse njerëzit e tij kulturalisht na qenkan anadollakë, e jo evropianë, prandaj, rrjedhimisht, çështja e statusit të Kosovës duhet të rihapet!
Sepse një gjë dihet shumë mirë, prej kohësh: pas çdo “rizgjimi fetar” gjithmonë fshihen plane e synime politike.