Pacientja 23-vjeçe që u lëndua nga kulmi i objektit të Komunës së Prishtinës më 18 janar, po vazhdon qëndrimin e saj në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gazeta online Reporteri.net ka biseduar me shefin e Mjekimit Intensiv, Shaqir Uka, i cili ka treguar se pacientja tashmë është larguar nga aparatura megjithëse ka ende nevojë për mjekim.
“Ajo vazhdon të qëndrojë edhe më tutje e shtrirë dhe të marrë mjekimin e duhur në Njësinë e mjekimit Intensiv. Sa i përket parametrave vital, prezantohet të jenë relativisht stabile për momentin. Është larguar nga aparatura mjekësore mirëpo ka nevojë edhe më tutje të qëndrojë dhe të marrë trajtim mjekësor dhe të jetë e monitoruar në Intensivë”, tha Uka për Reporteri.net.
Gjendja e 23-vjeçares deri tash po përcillej me aparatura të frymëmarrjes dhe po mbahej e fjetur me barna.
Uka më herët pati treguar se pacientja kishte pësuar lëndime të rënda në regjionin e kokë derisa i ishte nënshtruar edhe një ndërhyrjeje kirurgjike.
Deri tash, dy persona janë arrestuar lidhur me rënien e çatisë së ndërtesës së Komunës së Prishtinës.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy persona të dyshuar në këtë rast, njëri nga ta është zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialet Y.J., përderisa personi tjetër i ndaluar me aktvendim të prokurorit është person përgjegjës i kompanisë punuese për vendpunishten e kompanisë në fjalë me inicialet B.B”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë më 22 janar.
Autoritetet gjyqësore po ashtu njoftuan se kanë angazhuar ekspert gjyqësor në fushën e ndërtimtarisë “në këtë çështje penale, në të cilën po vazhdojnë të zhvillohen hetime në koordinim me institucionet relevante”.
Ekspertët e angazhuar nga komuna gjetën se ka pasur shkelje gjatë ndërtimit të kulmit.
“Është vërejtur se nuk është ekzekutuar asnjë ankerim i brinakeve, por ato vetëm janë mbështetur mbi murin e jashtëm. Kjo është arsyeja kryesore pse erërat e forta disa herë e kanë dëmtuar këtë kulm. Konstruksioni isekondar apo brinaket, përpos që nuk janë ankeruar me fileta metalike për murin perimetrik [traun nga betoni i armuar] ato në shumicën dërmuese të rasteve janë kapur me gozhda dhe jo fileta apo profile adekuate metalike sipas normave”, u tha në raportin e ekspertëve.
Më 18 janar, çatia e objektit të Kadastrit të Komunës së Prishtinës kishte rënë. Nga ky incident u lëndua rëndë 23-vjeçarja.