Mbrëmjen e 8 janarit Sinjali ka raportuar për një ngjarje të rëndë, ku një persona ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në lokalin ‘Exit Lounge’ në lagjen Kalabria (ish-Emshir) në Prishtinë. Shtetasi i Maqedonisë së Veriut, Burim Ajeti, 37-vjeçar, ishte dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit ishin larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.
Gati tri javë më vonë, pas veprimeve hetimore është arritur që të identifikohen personat e dyshuar për tentim vrasjen ndaj Ajetit.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Ibrahim Qadraku 36-vjeçar dhe Egzon Abazi 30-vjeçar.
Qadraku është arritur që të arrestohet gjatë ditës së djeshme dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa Abazi është shpallur në kërkim policor.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 36-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.
Por si ndodhi e gjithë ngjarja?
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur derisa viktima dhe të dyshuarit ndodheshin në këtë lokal, ku fillimisht patën një mosmarrëveshje verbale, e më pas ekskaloi situata. Konflikti mes tyre për pak sa nuk përfundoi tragjikisht, pasi të dyshuarit të mllefosur nga debati me viktimën, ia drejtuan armët atij, ku njëri prej tyre edhe gjuajti.
Për pasojë, i riu pësoi lëndime në këmbë dhe u dërgua në spital, teksa Policia ka bërë ekzaminimet e nevojshme. Siç mëson Sinjali, në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë që është sekuestruar si provë në lidhje me rastin.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.