Një lajm tragjik ka ardhur nga Katari, ku zhvillohej sfida çerekfinale mes Holandës dhe Argjentinës.
Kur po luhej koha shtesë e ndeshjes, gazetari amerikan i Sports Illustrated, Grant Wahl ka ndërruar jetë në moshën 48 vjeçare.
Shkaku i mundshëm i vdekjes, sipas raporteve të CBS, ishte një atak në zemër, ndërsa përpjekjet për ta rikthyer në jetë ishin të kota.
Siç e kishte deklaruar edhe vetë, Wahl vuante prej ditësh nga një bronkit i bezdisshëm. Sipas dy gazetarëve të New York Times që ishin të pranishëm, personeli mjekësor tentoi për rreth 20 minuta t’i shpëtonte jetën gazetarit, por mrekullia nuk ndodhi.
48-vjeçari po e ndiqte ndeshjen nga salla e shtypit e stadiumit “Lusail Iconic Stadium”, ndërkohë që shkroi postimin e tij të fundit në Twitter me rastin e golit të barazimit të Holandës..
“E gjithë familja e futbollit amerikan është e thyer kur mësoi se ne kemi humbur Grant Wahl. Tifozët e futbollit dhe gazetarisë së cilësisë më të lartë e dinin se ne mund të mbështeteshim gjithmonë te Grant për të dhënë histori të detajuara dhe argëtuese rreth lojës sonë dhe protagonistëve të saj kryesorë: ekipet, lojtarët, trajnerët dhe personalitetet e shumta që e bëjnë futbollin të ndryshëm nga çdo sport”.
“Këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasioni i Grant për futbollin dhe përkushtimi për të ngritur profilin e tij në peizazhin tonë sportiv luajti një rol të madh në nxitjen e interesit dhe respektit për lojën tonë të bukur”.
“Po aq e rëndësishme, besimi i Grant në fuqinë e lojës për të avancuar të drejtat e njeriut ishte dhe do të mbetet një frymëzim për të gjithë. Grant e bëri futbollin veprën e jetës së tij dhe ne jemi të shkatërruar që ai dhe shkrimet e tij brilante nuk do të jenë më me ne”, ka qenë reagimi i federatë së futbollit amerikan pas vdekjes së Grant.
Nuk ka munguar edhe reagimi nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino pas rastit tragjik.
“Me mosbesim dhe pikëllim të jashtëzakonshëm u njoftova për vdekjen e gazetarit të njohur sportiv Grant Wahl, ndërsa raportonte për një ndeshje çerekfinale gjatë Kupës së Botës FIFA në Katar”.
“Dashuria e tij për futbollin ishte e pamasë dhe raportimi i tij do t’u mungojë të gjithë atyre që ndjekin lojën globale. Në emër të FIFA-s dhe komunitetit të futbollit, ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për gruan e tij Celine, familjen dhe miqtë e tij në këtë moment më të vështirë”, tha Infantino. /Telegrafi/