Lajçak: Vëmendja e plotë tash në normalizim dhe implementim të marrëveshjeve

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se vëmendja e palëve në dialog duhet të jetë plotësisht në normalizim dhe implementim të marrëveshjeve të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Ai ka shkruar në Twitter se në takimin e së enjtes me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë ka diskutuar për pritjet që ka nga takimi i javës së ardhshme të kryenegociatorëve.

“Para takimit të javës së ardhshme në nivel të kryenegociatorëve, kam vizituar Kosovën. Me kryeministrin Albin Kurtin dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, kam diskutuar për pritjet për javën e ardhshme. Vëmendja jonë e plotë duhet të jetë tash në normalizim dhe implementim të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit”, ka shkruar Lajçaku në Twitter.

Gjatë ditës, Lajçaku ka bërë të ditur se Kosovës ia ka bërë të qartë qëndrimin e BE-së se si duhet të ecet me formimin e Asociacionit, ndërsa ka vizituar edhe Urën e Ibrit ku ka thënë se vendimi për hapjen e saj për qarkullim duhet të merret në kuadër të dialogut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *