Një person i moshës mbi 30-vjeçare nga një fshat i Istogut është arrestuar me dyshimet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë, mosha e të cilës është 9-vjeçare.
Mësohet se ngacmimi kishte ndodhur në rrjetin social ‘Instagram’ dhe viktima ishte ngacmuar gjatë orëve të natës. Prindi i saj kishte denoncuar rastin në stacionin e policisë në Fushë Kosovë dhe personi është arrestuar 19 ditë pas raportimit të rastit në polici.
Në një intervistë për Kallxo.com, babai i vajzës së mitur tregon se si e kishte raportuar rastin në polici. Ai bëri të ditur se në telefonin e vajzës kishte parë fjalë denigruese. “Si prind i vajzës sime, gjatë kontrollit të telefonit të saj, kam parë që ka mesazhe denigruese nga një person, drejtuar ndaj një vajze të mitur, me fjalë të pista , me fjalët më denigruese që mund t’i dëgjosh ndonjëherë dhe për këtë rast i jam drejtuar autoriteteve”, ka deklaruar babai i vajzës.
Tutje, ai potencon se personi i dyshuar kishte kërkuar nga vajza e tij që t’ia tregoj organet gjenitale. “Konkretisht ka kërkuar nga ajo, sepse ka komuniku me të me videocall, ku i kërkuar t’ia tregoj organet gjenitale. Për këtë rast kam njoftuar organet kompetente që janë duke u marr me rastin, ku si informacion e kam se personi është arrestuar.
Më tutje këtë punë e kanë organet e shtetit”, shtoi më tej babai i të miturës. Babai i vajzës konfirmoi se personi i dyshuar është i moshës madhore. “Sipas informacioneve që i kam po është i moshës madhore, më tutje nuk kam informacione, këtë punë e kanë organet e rendit”, tha ai. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që raste të tilla të raportohen më kohë.
“Është shumë e rëndësishme raportimi me kohë, sa më e rëndësishme edhe për parandalim të këtyre gjërave sa më shpejt, por edhe për organet e rendit është shumë më me rëndësi për gjetjen e menjëhershme të kryesit të veprave penale përmes metodave të tyre”, ka shtuar me tej babai i vajzës.