Ky është ushtari i FSK-së që dyshohet se gjuajti me armë pas përleshjes fizike me babain e bashkëshortes

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës konsiderohen si persona me vlera të larta personale e profesionale, që respektojnë shtetin, familjen dhe kolegët, por duket se një nga ata ka qasje më ndryshe ndaj familjes. Bëhet fjalë për një ushtar të FSK-së i cili u arrestua dje në Suharekë, pasi dyshohet se është përfshirë në një përleshje fizike, ku ka gjuajtur edhe me armë zjarri, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Arianit Beqirajn, 27-vjeçar, i cili po dyshohet se është kapur me babain e bashkëshortes së tij, pasditen e së martës, te një pompë e derivateve në Suharekë.

Përveç që dyshohet se ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke gjuajtur me armë, Beqiraj ka shkelur edhe ligjin, duke mbajtur kundërligjshëm armë. Kjo pasi që arma me të cilën ka shtënë nuk ka qenë armë zyrtarë, por ilegale.

Rasti ka alarmuar dëshmitarët përreth dhe Policinë, me ç’rast menjëherë është intervenuar në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar i dyshuari, teksa Policia ka sekuestruar armën me 14 fishekë.

Pas mbledhjes së informacioneve të para dhe përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj Beqirajt të iniciohen rastet për veprat penale “Shkaktim i rrezikut te Përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontrolle, posedim i paautorizuar i armës apo municionit”.

Në lidhje me rastin, burimet thonë se janë njoftuar edhe zyrtarët kompetentë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *