Një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbrëmë është kapur teksa po barte ilegalisht municion në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë. Si pasojë e kësaj, ai është suspenduar nga pozita e tij.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta se bëhet fjalë për zyrtarin policor Isa Dakaj, 53-vjeçar.
Dakaj u kap me municion, saktësisht me 1 mijë e 74 fishekë të pushkës për gjueti.
Këtë e ka konfirmuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, ku përmes një njoftimi për media është bërë e ditur se për policin, që ishte jashtë detyrës zyrtare kur u kap, në bashkëpunim me prokurorin është hapur rasti me dyshimin se është kryer vepra penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.