Ky është i dyshuari për ngacmimin dhe kanosjen e deputetes Duda Balje, përfundon në paraburgim

Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për denoncimin e deputetes nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi dyshohet se periudhën e fundit është përballur me presion, ngacmime e kërcënime nga një 42-vjeçar, i cili pretendon se për disa vite ka qenë në lidhje dashurie me deputeten Balje. 

Si rezultat i shqetësimit të përjetuar tash e një kohë, deputetja Balje ka kërkuar ndihmë nga shteti, për ta mbrojtur nga ngacmimet dhe kanosja serioze për jetën, që ajo pretendon se ka marrë nga i dyshuari. 

Burimet brenda partisë, ku bën pjesë Balje, kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se personi që ka përfunduar në prangat e Policisë, lidhur me këtë rast është Binak Sylaj, 42-vjeçar, i martuar, me vendbanim në Pejë dhe në Zvicër, i cili ndodhet nën masën e paraburgimit, tashmë është nën hetime për veprat penale “Ngacmim” dhe “Kanosje”. 

324528679 902569580892155 578024059535660372 n

Të afërmit me anëtarët e partisë SDU, kanë bërë me dije për Sinjalin se rasti që i parapriu arrestimit të të dyshuarit, ka ndodhur në javën e dytë të janarit, kur i dyshuari, i cili tentonte me çdo kusht të ketë një raport me Baljen, e ka kanosur me jetë deputeten. Bazuar në dëshmitë e deponuara në Polici, ky i fundit dyshohet t’i jetë drejtuar deputetes me fjalët “plumbin n’ballë do ta jap”.

Gjithçka mori kthesë tjetër, kur organet e rendit u vunë në dijeni për rastin. Krejt çka kishte ndodhur  u denoncua në Polici dhe i dyshuari u fut në telashe me ligjin, për shkak të veprave të kundërligjshme që dyshohet t’i ketë kryer për një periudhë të caktuar.  

Veprimet e organeve të rendit lidhur me rastin

Në mesin e këtij muaji, i dyshuari përfundoi në prangat e Policisë dhe ndaj tij u nxor urdhër nga Prokurori i Shtetit për masën e ndalimit policor, nën dyshimet se ka kryer dy vepra penale “Ngacmimi” dhe “Kanosja”. Pas ndalimit të tij, burimet e Sinjalit thonë se Drejtoria e Krimeve të rënda në Policinë e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal ndaj të njëjtit, nën dyshimin e arsyeshëm se ka kryer këto dy vepra.

Ndërkohë, në bazë të të provave dhe informacioneve të mbledhura që mbështesin dyshimin se i njëjti ka kryer këto dy vepra, Prokurori ka nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve. Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, pasi është vlerësuar se nëse i dyshuarit lihet i lirë, ekziston rreziku se mund të arratiset për Zvicër, ka mësuar Sinjali pas bisedës me avokatin e të dyshaurit.

Në seancën dëgjimore që është mbajtur, kur i i dyshuari ka dalë përballë gjyqtarit të procedurës paraprake, është aprovuar kërkesa e Prokurorisë dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit.

Konfirmimi i rastit nga avokati i të dyshuarit Binak Sylaj

Rasti është konfirmuar edhe nga avokati i të dyshuarit, i cili ka bërë të ditur se të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit për këto dy vepra penale dhe më pas familja e tij e ka njoftuar se e kanë angazhuar një avokat tjetër për ta mbrojtur të dyshuarin.

Në një prononcim për Sinjalin, i njëjti ka deklaruar se i dyshuari ka një version tjetër të asaj që kishte ndodhur dhe ka kundërshtuar që t’i caktohet masa e paraburgimit. Pas vendimit për paraburgim, avokati që ishte caktuar fillimisht njoftoi se ka bërë ankësë dhe më pas të gjitha shkresat ia ka dorëzuar mbrojtësit të ri të të dyshuarit.

“Po, është e vërtetë. Unë jom caktu me përfaqësu sipas detyrës zyrtare. Jom paraqitë edhe atë ditë e kemi mbajtë seancën, prej asaj faze kom vazhdu. E kom përfaqësu Binak Sylajn., ndaj të dëmtuarës Duda Balje. E kemi mbajtë senacën edhe është marrë aktvendim për paraburgim për 30 ditë. Kundrejt këtij vendimi kam paraqitur ankesë.

Gjoja se ai ka pasur, raporte, lidhje dashurie një kohë të gjatë… ai është deklaru ai vet. Ai e thojke lidhje. Është përmendur edhe në deklaratat e tij që ka pasur takime, telefonata, shkëmbime sms-ësh. Ai e ka paraqitur një version tjetër, që ka pasur raporte, kontakte, nuk qëndron pretendimi për ngacmim e kanosje”.

Deputetja Balje mohon pretendimet e të dyshuarit – thotë se rastin ia ka lënë në dorë shtetit

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe deputeten Balje, e cila e ka mohuar kategorikisht pretendimin e të dyshuarit se kanë qenë në lidhje dashurie, mirëpo e ka konfirmuar se rasti tashmë është denoncuar tek organet e rendit dhe nuk dëshiron të jap më shumë detaje për këtë rast. Balje nuk e ka komentuar se si njihet me të dyshuarin, duke u shprehur se rastin ia ka lënë në dorë shtetit.

“Procesi është në hetim. Unë e di që ai e ka pranuar fajësinë te prokurori. Nuk kam çka me thënë unë, e kam lajmëru në Polici. Kam pasur problem dhe e kam lënë shteti me gjetë një zgjidhje për të. Nuk e komentoj këtë (kur pyetet për pretendimet e të dyshuarit se kanë qenë në lidhje dashurie). Krejt çka kam pas e kam thënë në Prokurori. Rasti është në hetim. Personi është manipulant i madh. Nuk është e vërtetë që kam pasur lidhje.”tha Balje.

Siç mëson Sinjali, i dyshuar Binak Sylaj, tashmë është nën hetime për veprat penale “Ngacmim” dhe “Kanosje”, tashmë ndodhet nën masën e paraburgimit dhe gjatë kësaj kohe Prokuroria është duke ndërmarrë veprime hetimore dhe më vonë do të vendoset nëse do të jetë e nevojshme ushtrimi i kërkesës për zgjatjen e masës së paraburgimit.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por të njëjtit ende s’kanë kthyer përgjigje, teksa Prokurori i rastit ka deklaruar se do të përgjigjet përmes zyrës për informim.

Sqarim: Qëllimi i publikimit të këtij artikulli nuk është për të dëmtuar nderin apo autoritetin e personave të përfshirë, por për të sensibilizuar organet e ndjekjes, se sa lehtë mund të kanoset e ngacmohet një grua, madje qoftë edhe në pozita të larta në institucionet shtetërore.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *