I dyshuari që plagosi me armë kunatën e tij, në orët e mëngjesit në Prizren, tashmë është arrestuar.
Rastin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës, ndërkohë që Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarit.
Burimet brenda Prokurorisë thonë se bëhet fjalë për Liridon Berishën, 31-vjeçar, i cili shkrepi në drejtim të kunatës sa tij, pas konfliktit, motivet e së cilit ende nuk dihen.
Pas arrestimit, me rastin e kontrollit policor, të dyshuarit i është gjetur një armë, e cila më pas është konfiskuar.
I riu është dërguar në stacion policor, ku është intervistuar dhe më pas është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh. Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër që ndaj tij të nisin hetimet për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar Haxhi Kabashi, komandant në stacionin Policor në Prizren. “Në përleshje e sipër në shtëpi, i dyshuari ka pasur posedim një armë dhe ka shkrepur në moment duke goditur kunatën e tij. Personi është arrestuar, arma gjithashtu është konfiskuar nga Policia dhe rasti po hetohet në hetime rajonale”, tha Kabashi.
I pyetur nga Sinjali se si është gjendja shëndetësore e viktimës, pasi u plagos nga shkrepja me armë, komandanti Haxhi Kabashi tha se fatmirësisht viktima është jashtë rrezikut për jetë.