Ky është i arrestuari që u kap me 2 kilogramë drogë në Veri

Gazeta Sinjali raportoi sot për një aksion të Policisë në Veri të vendit, që rezultoi me kapjen e 2 kg drogë dhe arrestimin e një personi të dyshuar. ‘Sebep’ për ndalimin e të dyshuarit ishte kontrolli i Policisë në fshatin Jashanicë, komuna e Leposaviqit, që rezultoi me gjetjen dhe konfiskimin fillimisht të disa qeseve me marihuanë, çka u ngritën dyshimet dhe u urdhërua bastisje në shtëpinë e tij.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari për këtë rast është Nikola Ratkovic, 37-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, si i dyshuar për disa vepra penale.

Sinjali mëson se gjatë kontrollit të automjetit, te shoferi janë gjetur katër qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila është konfiskuar.

Më pas Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri me karikatorë dhe fishekë, rreth 2 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Në një distancë të vogël larg shtëpisë së tij janë gjetur po ashtu edhe bimë të mbjella narkotike të llojit kanabis.

Në cilësinë e provave materiale është sekuestruar edhe një veturë dhe një telefon mobil, ndërsa 37-vjeçari i dyshuar është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh. I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substance psikotrope ose analoge, apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’, ‘Kultivim i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, posedimi i paautorizuar i armës’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *