Vjedhja në shtëpinë e vet i ka kushtuar me ndalim policor një 30-vjeçari nga Gjakovë. I riu e mori televizorin nga shtëpia dhe e shiti për 30 euro, por përfundoi në Polici. Nëna e tij u detyrua ta denoncojë, pasi kjo nuk është hera e parë që ai po kryen vjedhjen në shtëpi, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari që u arrestua për këtë rast është Edison Istrefi, i cili tashmë është dërguar në Qendrën e Mbajtjes, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Ai e mori televizorin nga dhoma e pritjes mesditën e së martës dhe u largua nga shtëpia për t’ia shitur shokut të tij me të cilin ishte marrë vesh.
Posa nëna e tij u kthye në shtëpi nga puna, e pa që mungonte televizori dhe njoftoi Policinë, që ia arrestoi të birin, ndërsa televizorin ia kthyen prapa.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe më pas Prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “vjedhja”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.