Dhuna në familjet kosovare është një dukuri shumë shqetësuese. Rastet çdo herë e më shumë po rriten dhe të dhënat që raportohen janë mjaft tronditëse. Një ngjarje e tillë ka ndodhur edhe sot, në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, ku u arrestua një 29-vjeçar, nën dyshimet se e mbajti të mbyllur të dashurën dhe e sulmoi.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë është Adil Shefkija, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Sipas informacioneve të para, ai po dyshohet se dy ditë më parë, pas një mosmarrëveshje i kishte shkaktuar lëndime trupore të dashurës së tij dhe e kishte mbajtur të mbyllur për tri ditë radhazi në dhomën e shtëpisë.
Pas tmerrit që përjetoi nga i dashuri, viktima ka arritur t’i njoftojë fqinjët e saj, të cilët më pas kanë lajmëruar Policinë.
Ajo është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa Policia të dyshuarin e ka shoqëruar në stacionin e Policisë në Ferizaj.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia dhe kanë njoftuar se pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ” Dhunë në Familje dhe Lëndim i lehtë trupor”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.