Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila ka arsyetuar rritjen e çmimeve duke e bërë fajtore luftën në Ukrainë.
Ajo akuzoi opozitën se po bën politikë të padrejtë.
Deputetja nga Gjakova ka përmendur edhe hapat që i ka ndërmarrë qeveria për t’i dalur në ndihmë qytetarëve, duke i përmendur edhe ndarjen e 100 eurove për të punësuarit dhe studentët.
E para e deputetëve të Vetëvendosjes shtoi se gjatë dy vjetëve janë rritur të hyrat nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës.
“Sa i përket diskutimit të sotëm për reduktimin e akcizës dhe normës së TVSH-së për derivate dhe për produkte esenciale. Është mirë të tregojmë se si kanë performuar të hyrat e shtetit në këtë periudhë. Të hyrat janë rritur.
Masat nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike që kanë filluar në vitin 2021 janë duke u aplikuar në vitin 2022. Me aplikimin e heqjes së TVSH-së do të ndikohen të hyrat e shtetit dhe do të ketë më pak të hyra e rrjedhimisht shpërndarje më të vogël të këtyre të hyrave”, u shpreh Kusari-Lila në seancën e Kuvendit./Neutral.al/