Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbrëmë në fshatin Kryshec të komunës së Pejës.
Ilir dhe Bajram Gashi mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Lidhur me rastin Policia ka njoftuar se është arrestuar personi i dyshuar, i cili shtiu plot shtatë herë me armë drejt kushërinjve të tij.
Sinjali mëson ekskluzivisht se dy personat e plagosur janë familjarë me të dyshuarin dhe ata janë Ilir dhe Flakrim Gashi.
Iliri ka marrë shtatë plagë të rënda në trup, për çka u desh që me urgjencë të transferohej për në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm, ndërsa Flakrimi ka marrë një plagë më të lehtë në këmbë dhe pas ndihmës mjekësore është liruar për në shtëpi.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se Iliri kishte qenë duke pirë kafe me vëllain e tij në hapësirën e jashtme të lokalit, kur aty kishte arritur i dyshuari i cili i ishte drejtuar atij me fjalët “A më ke thirrë ti mua në telefon” dhe kishte nxjerrë armën duke shtënë në drejtim të tij.
Njësitet policore me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa janë vënë në kërkim të personit të dyshuar të cilin kanë arritur që ta arrestojnë.
Po ashtu është konfiskuar edhe arma e cila dyshohet se u përdor në rast.
Pas arrestimit i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’. Me urdhër të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.