Kryeministri i vendit, Albin Kurti po raporton sot në Kuvend përpara deputetëve për marrëveshjet e arritura në takim me liderët evropianë në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë.
Para deputetëve, ai tha se Asociacioni është trashëgimi nga e kaluara.
Sipas tij, edhe pranimi i tij ka sjellë ndryshime.
Pjesa e parë e deklaratës:
Dialogu me Serbinë është një proces që ka nisur në mars të 2011. Një dekadë solli shumë marrëveshje e konkluzione, por ajo që veçohet është ajo e Asociacionit, e cila mes kundërshtimeve të mëdha e pati kaluar ky vend. Më 25 gusht të vitit 2015, asaj të vitit 2013 i ishte shtuar aneksi për kompetencat e Asociacionit të cilit Kushtetuesja i kishte gjetur shkelje.
Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin, mirëpo asnjë marrëveshje për njohjen e Kosovës. Integrimi i veriut ishte fasadë. Atje lulëzonte edhe krimi e korrupsioni. Në vend të sundimit të ligjit, në veri sundonte Radojçiqi. Kjo ishte pasojë e dialogut. Nga marsi kur kemi marrë qeverinë, kemi thënë se na duhet qasje e re në dialog. Sfida kryesore ishte trashëgimia 10-vjeçare në dialog që nuk kishte sjellë integrim të veriut, dhe as njohje.
Sundimi i ligjit na ka sjellë në përmballje me grupe kriminale, si më 24 shtator në veri. Por sundimi i ligjit do të vazhdojë. Kriminelët në veri ishin pjesë e koalicionit qeverisës. Dy vite në dialog kanë sjellë marrëveshjen e 27 shkurtit në Bruksel, që ka edhe aneksin e zbatimit. Kjo marrëveshje është për njohje defakto të Kosovës nga Serbia, dhe ky është rezultati i dy viteve në dialog.
Marrëveshja e 27 shkurtit, në gjashtë rreshtat e preambulës, ka njohjen de-fakto nga Serbia. Pesë nenet tjera janë përfituese për dy palët. Neni 7 ndërlidhet me trashëgiminë nga rezultati i dialogut të kaluar. Qëndrimi i Qeverisë ka qenë të zbatohet plotësisht marrëveshja e Brukselit. Më 21 tetor kemi pritur pesë emisarët që sollën një plan për ecjen përpara. Ky plan përfshinte edhe një draft-statut për zbatimin e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të marrëveshjes.
Draft propozimi parasheh që duhet të shikohet nga Kushtetuesja, menjëherë pas pranimit të tij. Më 26 tetor mbajtëm takimin me liderët evropianë: Në takim kam kërkuar më shumë siguri në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Kërkova që të bëhet ndëshkimi i Serbisë, sepse mos-ndëshkimi bëhet inkurajim për kriminelët. Kërkesën për sanksione e kemi për hir të mos-përsëritjes. Ne nuk dëshirojmë që të na përsëritet kurrë më diçka e ngjashme si më 24 shtator.
Grupi i Radojçiqit duhet të ekstradohet në Kosovë, dhe këtë e thashë në takim. Kosova është kampion për sundim të ligjit dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë i monitoruar nga EULEX.
Në këtë takim theksova progresin demokratik e ekonomik.
Ne mirëpresim deklaratën e përbashkët të liderëve evropianë për thirrjen për njohjen de-fakto të Kosovës nga Serbia. Ne duam të ecim përpara, siguria e Kosovës nga agresioni i Serbisë, është parësore.
Normalizimi i plotë i marrëdhënieve kërkon njohjen defakto reciproke.