Kryeministri Albin Kurti, u ka bërë thirrje komuniteteve jo shumicë në Kosovë që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, që pritet të fillojë me 1 nëntor, raporton Ekonomia Online.
Në këtë mënyrë, Kurti ka thënë se Qeveria do të mund të bëjë më mirë planifikime se sa shkolla u duhen komuniteteve, sa kilometra rrugë e ku të investojë ne ekonomi.
Në një takim me zyrtarë komunalë për Komunitete dhe Kthim, ai ka përmendur edhe disa nga veprimet e Qeverisë për komunitetet.
“Qeveria më e mirë është ajo më afër popullit. Jemi mirënjohës që ju kemi si zyrtarë komunale për komunitete dhe kthim afër qytetarëve tanë. Prandaj e kemi organizuar ketë takim për herën e pestë që ju të keni mundësi t’i shprehni mendimet e juaja”.
“Kemi ndare 3 milionë euro për komunitetet jo shumicë. MAPL ka ndarë 1 milion euro për projekte infrastrukturore veçanërisht për komunitetet. Ministria e Mjedisit i ka identifikuar 29 projekte, 9 prej të cilave janë për komunitetet jo shumicë. Një e arritur tjetër është edhe njohja e gjuhës rome si gjuhë zyrtare në Prizren. Kemi edhe linjën e re të autobusëve nga Prishtina ne Kishnice dhe Graçanicë, linjë që u hap dje”.
“Prioritet u kemi dhënë edhe vizitave në terren. Regjistrimi i popullsisë do të fillojë me 1 nëntor, është obligim i çdo qytetari por edhe në të mirën e çdo qytetari. Me informatat qe do të mbledhin nga regjistrimi do të kemi mundësi të planifikojmë për nevojat e komuniteteve a sa shkolla na duhen, sa kilometra rruge e ku të investojmë në ekonomi. Kam ardhur të dëgjoj prej juve, për juve, për vendin tonë”.