Sapo u kthye nga SHBA, Albin Kurti iu është drejtuar serbëve të Kosovës me gjuhën e tyre duke i shpjeguar arsyet e vendimit të marrë që hyn në fuqi nga Gushti për reciprocitetin e letërnjoftimeve dhe targave të automjeteve.
“Kjo që po fillojmë ne tani më 1 gusht, Serbia ka filluar ta zbatojë para 11 vitesh. Ne do të jemi në dispozicionin tuaj duke dëshmuar që çdo veprim I yni është vetëm respektim i ligjit , i cili si i tillë trajton gjithësecilit prej jush”.
Në videon e postuar në rrjetet sociale Kurti i fton serbët që ta shohin këtë vendim si një përgjigje ndaj shkeljeje të të drejtave të tyre si nënshtetas të Republikës së Kosovës.
“Obligimi i Qeverisë është të mbrojë të drejtat tuaja nga veprimet diskriminuese, të cilat janë kërcënuese ndaj të gjithë neve”.
Në qershor, Qeveria vendosi dy muaj afat qytetarëve serbë që të heqin targat ilegale. Në veri të Kosovës ka pasur disa reagime kundër vendimit, ndërsa nuk kanë munguar as deklarata të krerëve të Serbisë.
Ministria e Brendshme njoftoi të premten se nga 1 Gushti deri më 30 Shtator do të fillojë procesi i regjistrimit të targave ilegale në RKS në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve.