Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Siç raportojnë mediat në Shqipëri, Nikolla i ka ofruar Kurtit mbështetje në dialogun me Serbinë duke vlerësuar edhe Planin Evropian.
“Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjellët mes dy vendeve, vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike”, tha Nikolla.
Nikolla ka potencuar se Shqipëria do të vijojë lobimin për njohje të reja ndërkombëtare për Kosovën, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe ato ndërkombëtare.
“Kuvendi nxit e mbështet bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat dhe mbështesim vendimet e Qeverisë së Kosovës, si vendime të një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe të një shteti sovran dhe të pavarur. Bashkëpunimi intensiv mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është në ditët më të mira. Ne mbështesim perspektivën evro-atlantike të Kosovës dhe vijojmë të lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB dhe organizatat ndërkombëtare”.
Para takimit me Nikollën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur në takim nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Begaj dhe Kurti kanë biseduar për zhvillimet e fundit në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.