Kryeministri Albin Kurti ka folur për ish-krerët e UCK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, gjykimi për të cilët do të fillojë shumë shpejt. Ai tha se nuk i ka vizituar pasi ka vlerësuar se vizita e tij nuk ndihmon asgjë, raporton Sinjali.
Kurti tha se beson në pafajësinë e tyre pasi lufta ka qenë e drejtë dhe e pastër. Ai ka përmendur edhe dy gjëra që sipas tij i kanë penguar në aktakuzën ndaj tyre.
“Ndër ditët më të tmerrshme është 3 gushti i vitit 2015. Totalisht e panevojshme ajo gjykatë speciale. Ajo u bë konsensus ndërkombëtar, e cila nuk është me të dyja këmbët në Kosovë. Nuk është e lëvdueshme për transparencën.
Besoj në pafajësinë e tyre. Luftë e drejtë, e pastër, nacionalçlirimtare. Kur e kam lexuar aktakuzën, dy gjëra më kanë penguar, kur thuhet ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe kur thuhet që pjesëtarët e UÇK na paskan bërë ndalime ilegale.
UÇK-ja është dashur të kontrollojë kush po hyn e kush po del dhe këto dyja janë tepër problematike për mua. Ne i mbështesim të pandehurit, i kam takuar shumicën e avokatëve.
Qeveria jonë ka vazhduar ndarjen e buxhetit dhe nuk e di nëse Rexha e sheh por i bëj shumë të fala. Por vizita ime atje nuk ndihmon.”, tha Kurti në Debat Plus.