Ikja e qytetarëve nga Kosova që një kohë të gjatë është shndërruar në fenomen.
Mijëra qytetarë janë larguar nga Kosova dhe mes tyre shumë të rinj e profesionistë shëndetësorë, shkruan Demokracia.com.
Në bazë të statistikave zyrtare ndërmjet viteve 2013 deri në fund të vitit 2022, gjithsej 252 mijë njerëz kanë zgjedhur të ikin nga Kosova.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual Albin Kurti, nuk kishte lënë gjë pa thënë kur njerëzit iknin në qeverisjet e kaluara. Por, sot kur janë vetë në pushtet, ikja për ta “është normale”.
Si krejt normale po e sheh ikjen e qytetarëve edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Kështu ka deklaruar gjatë raportimit të tij në Komisionin Parlamentar për Integrime.
Ai tha se në Ballkanin Perëndimor ka pasur gjithmonë tendenca për migrim, ndërsa tha se kjo “është diçka normale”.
“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Europën Lindore, ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmëmilioni mjekë që operojnë në Bashkimin Europian nuk janë të lidhur me Bashkimin Europian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës”, tha ai.
E dikur, më 2019, Kurti thoshte se njerëzit iknin nga Kosova për shkak të Qeverisë.
“Dhe, këtu më shumë kemi të bëjmë me ata të cilët përgjithësisht ikin prej Kosovës sesa me ata që specifikisht po shkojnë në ndonjë vend të caktuar. Njerëzit ikin nga ky shtet, sepse iku edhe prokurori si puna e Elez Blakajt nga Kryeministri e Qeveria. Kosova është një vend prej nga nuk po ikin kriminelët, por po ikin prokurorët. Edhe ish-ambasadori amerikan Greg Delawie me 15 gusht të vitit të kaluar pat thënë, po citoj: “Kemi parë frikësim të hapur dhe institucional përmes kërcënimeve dhe sulmeve personale kundër një prokurori, sjellje që vetëm mbështetin pohimin e tij për kërcënime dhe presione politike si arsye për dorëheqjen e tij. Kjo krijon mjedis armiqësor për cilindo prokuror apo gjykatës të ardhshëm’. Për t’i kthyer njerëzit ne duhet ta kthejmë njëherë Elez Blakajn. Për të pasur prokuror e gjykatës në një sistem të drejtësisë, ne duhet ta kthejmë njëherë Elez Blakajn.”, thoshte Kurti.
Sipas tij, ikja që ndodhë tek ne, natyrisht që ka shkaqe të fuqishme ekonomike.
“Neve na ka ikur paraja, kur ikë paraja – ikin njerëzit. Me këtë deficit tregtar, ne po zbrazemi nga paraja e më pas edhe nga njerëzit. Ndërkohë që, mbi 90% të fondit të kursimeve pensionale të Kosovës, i cili është rreth 1.7 miliardë euro, ndodhet jashtë vendit. Banorët e Kosovës, qytetarët e Republikës sonë, i kanë diku 3.2 miliardë kursime në 10 banka, prej të cilave 8 janë të huaja dhe i kanë 2.7 miliardë kredi me kamata mesatarisht 7%, ndërkohë që interesi në depozita është vetëm 1%. A ne nuk kemi bankë zhvillimore tonën, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka BERZH-in. Pra, BE ka një bankë zhvillimore për neve, e ne nuk e kemi për vete. Orientimi i gabuar socio-ekonomik natyrisht që shkakton edhe këtë lloj krize të madhe për njerëzit në shoqërinë e në vendin tonë. Mirëpo, unë këtu dua të theksoj diçka të ndërlidhur e megjithatë pak tjetër. Është hendeku i shkathtësive. Mungesa e lidhjes së ekonomisë me arsimin. Të arsimit me ekonominë. Sa është e rëndësishëm ekonomia, sa është i rëndësishëm arsimi edhe më e rëndësishme është lidhja mes këtyre dyjave. Dhe unë besoj se ky është mbase shkaku kryesor i ikjes së të rinjëve.”, thoshte Kurti.
Ai thoshte se boshllëku i shkathtësive është në thelb të gjendjes alarmante në të cilën ndodhej Kosova.
Kurti kishte përmendur edhe mungesen e banesave për çiftet e reja, të cilin e pati një prej premtimeve kryesore të fushatës, por që nuk e ka bërë asnjë hap në atë drejtim.
“Të gjithë jemi dëshmitar se të rinjtë e të rejat në të njëzetat e tyre fejohen edhe kalojnë vite të tëra e nuk martohen se nuk kanë ku martohen. Janë të panumërta rastet kur çiftet e reja dalin të banojnë me qira dhe detyrohen të kthehen tek prindërit. Dhe, ndoshta një ditë edhe ikin nga vendi.”, shprehej ai.