Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e konsideroi si një nga të arriturat e Qeverisë së tij pagesën prej 7 milionë euro për punëtorët e Telekomit të Kosovës, që kishin pranuar marrëveshje për t’i marrë 24 rroga dhe ta ndërprisnin punën në këtë ndërmarrje publike.
Kurti duke folur për RTV Dukagjinin tha se nuk e ka rritur numrin e punëtorëve në Telekom, por e ka zvogëluar.
Por çfarë realisht ka ndodhur me këtë veprim të kryeministrit Kurti?
Ish-kryeshefi i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, ka thënë për InfoSot se Qeveria ka shkelur ligjin kur ka vendosur ta bëj këtë veprim, sepse po paguan mos prezencën në punë të zyrtarëve.
“Sa takon pagesave direkte të afër apo mbi 7 milionë euro nga Qeveria Kurti në llogari të Telekomit të Kosovës, për pagesën e orëve ditëve, muajve të punës pra 24 muaj për mbi 300 punëtorë të Telekomit përbën edhe veprim korruptiv pasi që Qeveria-Aksionari po paguan mos prezencën 24 muajshe në pune”, thekson Smakiqi.
Smakiqi sqaron se dëshmi për këtë veprim të kundërligjshëm të Qeverisë janë raportet e aludimit nëpër vite ku e gjetur e raporteve është mos prezenca në punë e zyrtarëve.
“Ndërkohë që në raporte, ZKA-ja gjithmonë e kanë nënvizuar shkelje mos prezencën në punë të zyrtarëve dhe që janë paguar”.
Smakiqi, i cili dikur ka qenë vetë pjesë e Telekomit, po konsideron se me këtë veprim Qeveria po dëmton ndërmarrjen publike duke nxitur punëtorët ta lënë punën.
“Kurse në rastin konkret kemi kundërligjshmëri të pastër dhe dëmtim të Ndërmarrjes Publike duke nxitur largimin e punëtorëve dhe ekspertëve. Në të gjitha teoritë e burimeve njerëzore, njeriu konsiderohet si aseti më i vlefshëm në ndërmarrje, ndërsa kjo Qeveri investon kundërligjshëm në largimin e tyre nga ndërmarrja”, thotë Smakiqi për InfoSot.
“Imagjinoni, Telekomi kërkon hua afër 7 milionë euro nga Qeveria që t’i paguajë punëtorët për 4 vite duke qëndruar në shtëpi. Kush paguan punëtorë duke qëndruar në shtëpi? Vetëm Qeveria Kurti”, ka thënë Smakiqi.
Edhe ish-kryeshefi i Telekomit, Shyqyri Haxha, e ka quajtur qesharake mburrjen e kryeministrit Kurti me largimin nga puna të punëtorëve.
“Mburrja me Telekomin e Kosovës nga kryeministri Kurti është qesharake. Nuk mund të mburresh me një kompani apo menaxhment steril që e ke vendosur vet dhe si Qeveri i ke nda dhjetëra miliona, keni larguar punëtorëve nga puna, si dhe kualiteti i shërbimit është për tu dëshiruar. Shikoni sa miliona i ka jap Qeveria Kurti Telekomit, ka largu mbi 300 punëtorë, kryesisht punëtorë vital. Me mbajt ‘gjallë’ kompaninë me pare të shtetit, me largu nga puna dhe me u mburr”, ka shkruar Haxha në Facebook.
Mbi 300 punëtorë janë larguar nga puna në Telekomin e Kosovës, kjo pas një marrëveshjeje që Telekom u ka ofruar për pensionim të parakohshëm apo marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës me benifite.
Telekomi i Kosovës kishte njoftuar se ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës hua për të kompensimin e punëtorëve që do të largohen apo pensionohen para kohe.
Sipas njoftimit për media nga Telekomi thuhet se oferta në tërësi do t’i kushtojë Telekomit 6 milionë e 256 mijë e 689 euro. Tutje thuhet se për të mbuluar shpenzimet e kësaj oferte, Telekomi i Kosovës, ka aplikuar për hua nga Qeveria e Kosovës.
“Edhe pse mund të duket shpenzim i madh, në plan afatgjatë Telekomi i Kosovës llogaritë të përfitojë nga ky proces. Kompensimi në lartësinë e paraparë me kontratë, pritet të ndodhë deri në fund të muajit Qershor 2022. Shuma që TK do të paguajë për këto pako është rreth 6.2 milionë €, përfshirë pagat neto, tatimin në paga dhe kontributet pensionale”, thuhej në njoftim.