Kurti flet për takimin me Vuçiqin: Ne kemi qenë të hapur për diskutim, por pala tjetër doli nga ndërtesa

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë ka folur për takimin e 18 gushtit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton Gazeta Sinjali.

Gjatë adresimit të tij, Kurti ka deklaruar se te tema e personave të zhdukur me dhunë nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që të nënshkruhet dokumenti dakordues.

Sipas tij, kjo marrëveshje mund të nënshkruhej të enjten që shkoi, por që pala tjetër nuk pati interesim dhe doli nga ndërtesa.

“Ndërkaq marrëveshja për lirinë e lëvizjes ka ardhur si temë me katër propozime nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçaku. Deklaratat se ka pasur gatishmëri dhe propozime nga njëra palë, janë të pavërteta. Ne ende kemi qenë të hapur për bisedime por nga ndërtesa ka dalë pala tjetër. Ne jemi të interesuar për lirinë e lëvizjes. Sikur tani nuk ka targa të përkohshme as andej as këndej, mirë është që të mos ketë as letra ngjitëse. Pra duhet të ndodhë njohja reciproke e letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve. Ne kemi dhënë idenë që të njihen të gjitha dokumentet”, ka thënë ai.

 “Në vend të ideve pala tjetër kanë nxjerr vetëm konstatime duke bërë të ditur se nuk janë të intersuar për normalizim të plotë, por për hapa të vegjël”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, temë diskutimi në këtë takim ka qenë marrëveshja finale dhe çështjet aktuale, duke thënë se ka paraqitur 6 kapituj që do të duhej të përfshiheshin në marrëveshjen finale.

“Te tema e parë kam elaboruar në detaje këndvështrimin e palës tonë për marrëveshjen finale në formë të 6 kapitujve:

1. Statusin e marrëdhënieve bilaterale të dy vendeve dhe kontekstin ndërkombëtar që nënkupton njohjen reciproke dhe rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në organizatën ndërkombëtare

2.Ballafaqimin me të kaluarën ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale të luftës, kthimi i artefakteve etj

3. Bashkëpunimi në të ardhmen ku përfshihet liria e kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve

4.Trajtimi i të drejtave të pakicave respektive

5.Të ri konsiderojmë marrëveshjet e deritanishme, jo me idenë e ri negocimit të tyre siç ka potencuar pala tjetër

6.Duhet të vendosim qartë mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve eventuale”, u shpreh Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *