Me ndezjen e flakadanëve në Teatrin e Qytetit në Gjilan dhe te Varrezat e Dëshmorëve, zyrtarisht ka filluar edicioni i 32-të i Manifestimit Mbarëkombtër “Flaka e Janarit 2023”.
“Në ceremoninë e hapjes së këtij Manifestimit, nga më të veçantit për nga struktura në mbarë hapësirën shqiptare, i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ndezi simbolikisht flakadanin, së bashku me kryetarin Hyseni, për të ndriçuar qytetin e Gjilanit me simbolikën e flakës, si sinonim i sakrificës së dëshmorëve të të gjithë brezave deri në ditët tona. Kryeminstri Kurti, paraprakisht, në shenjë nderimi e respekti për ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre për lirinë e Kosovës, jetët e tyre, ka vizituar disa familje të dëshmorëve në Gjilan. Në hapje të ceremonisë zyrtare në platonë e ish-Galerisë së Qytetit në Gjilan, paraprakisht, Kori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, me intonimin e Himnit të Flamurit dhe prezantimin e disa pikave artistike, ka paralajmëruar e zyrtarizuar hapjen e edicionit të 32-këtij manifestimi”, thuhet në njoftimin e komunës së Gjilanit.
Në fjalën e tij kreu i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, në cilësinë e nikoqirit, nën patronatin e të cilit mbahet manifestimi, e ka cilësuar tejet të rëndësishme këtë ngjarje për qytetin e Gjilanit dhe mbarë Anamoravën, në nderim e kujtim të dëshmorëve përmes veprave artistike.
“Është nderë dhe kënaqësi për shkak se përmes Manifestimit “Flaka e Janarit”, Gjilani jo vetëm që shënon kulmin e mbledhjes së artistëve dhe artdashësve nga të gjitha viset e trojet shqiptare, por edhe përkujton të rënët për liri dhe ata që kanë sakrifikuar dhe jetët e tyre për ditët që ne i gëzojmë sot”, tha kryetari Hyseni.
Kryetari Hyseni më tej ritheksoi rëndësinë e patjetërsueshme që ky edicion i “Flakës së Janarit”, të na gjejë me organizim të mirë por edhe me një program të pasur e me risi të shumëta.
“Tani në prezencë edhe të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, i cili me prezencën e tij nderon Gjilanin, por edhe të rënët për liri – do të bëjmë ndezjen e flakadanit që shënon pra edhe fillimin e “Flakës së Janarit 2023”, e që do të zgjasë dhe karakterizohet me aktivitete të ndryshme deri më 31 janar, shtoi Kryetari Hyseni.
“Më pas, në mënyrë simbolike, në shoqëri të zyrtarëve institucionalë nga niveli qendror e ai lokal, kryeministri Kurti bashkë më nikoqirin e këtij Manifestimi, kryetarin e komunës së Gjilanit Alban Hyseni, kanë bërë ndezjen e flakadanëve, të cilët do të qëndrojnë 20 ditë me radhë, për të ndriçuar si feniksi veprën sublimeve të heronjve, por edhe si simbolikë nderimi e dedikimi për jetën dhe veprat madhore të dëshmorëve të kombit.
Manifestimi “Flaka e Janarit 2023”, ndryshe nga herët tjera, këtë edicion mëton të sjellë vepra të reja nga krijimtaria artistike kombëtare të realizuara gjithandej hapësirës shqiptare, ndërsa strukturalisht është ideuar në kuadër të kornizave tradicionale, duke i qëndruar besnike strukturës së saj në shtylla përkatëse, arte pamore, muzikore, skenike e letrare, por me ca modifikime që mëtohet të begatojnë e plotësojnë akoma më shumë mozaikun e prurjeve artistike nga artistë e krijues shqiptarë”, thuhet në njoftim.
Edicioni i parë i “Flakës së Janarit” u nis më 18 Janar 1992 në përvjetorin e10-të të vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës.
Manifestimi “Flaka e Janarit” organizohet nga Komuna e Gjilanit.