Zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, tha se duhet zbatim i plotë, i shpjetë dhe pa kushte i marrëveshjes.
“Kanë kaluar 1 vit prej prezantimit të parë të draftit të Marrëveshjes Bazike dhe po bëhen tash 6 muaj prej dakordimit mbi tekstin final të Marrëveshje Bazike në Bruksel. Duhet zbatim i plotë, i shpejtë dhe pa kushte i saj. Në takimin e të enjtes, presim që pika e kyçe e takimit që jetë diskutimi drejt finalizimit të planit të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, i cili duhet të jetë i drejtë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës”, deklaroi Kryeziu.
Kryeziu tha se Qeveria pret qe BE-ja sot t’i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Masat kanë qenë të padrejta prej fillimi. Tash përfundimisht kanë humbur edhe kuptim meqë në njërën anë de-eskalimi praktikisht ka ndodhur, ndërkaq në anën tjetër Kosova po e zbaton me përpikëri marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian të arritur në Bratislavë me 10 korrik. Kanë kaluar më shumë se dy muaj prej kur është regjistruar incidenti i fundit serioz dhe protesta e fundit e dhunshme, në dhe rreth ndërtesave komunale ka tani 50% më pak prani të Policisë së Kosovës ndërkohë që ka më shumë punëtorë administrativë që i shërbejnë qytetarëve. Kurse së fundmi është finalizuar edhe Udhëzimi Administrativ që u hap rrugë zgjedhjeve të reja, dhe anë të mënyrën më demokratike të mundshme. Fatkeqësisht, masat e kanë dëmtuar edhe procesin e dialogut. Andaj sa më parë që largohen ato, është mirë edhe për Bashkimin Evropian dhe çka përfaqëson ky union por edhe për Kosovën”, tha Kryeziu.
Takimi midis kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq është i pari që nga tensionet e fundit ne veri të vendit./RTV21/