Kryetari Nura: Rreth 120 familje janë evakuuar pas vërshimeve në Skenderaj

120 familje janë evakuuar dje në Skenderaj si pasojë e vërshimeve që kanë ndodhur në atë komunë.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura në një prononcim për Telegrafin ka thënë se sot gjendja atje është stabile dhe se niveli i ujit në atë pjesë ka rënë dukshëm.

Sot gjendja është më stabile, niveli i ujit ka rënë dukshëm, është i qetë dhe reshjet janë ndal, por dëmet janë shumë shumë të mëdha, si në infrastrukturë, si në ekonomi familjare, biznes. Vlerësohet me miliona dëme që janë të shkaktuara”, ka thënë ai.

Nura tutje ka thënë se 120 familje janë evakuuar të cilët janë strehuar tek farefisi i tyre.

Ai ka thënë se deri më sot nuk kanë pasur kërkesa për akomodim, përveç kërkesave për përkrahje në gjërat ushqimore.

Rreth 120 familje janë evakuuar të cilët janë akomoduar tek familjarët dhe farefisi. Deri tani nuk kemi pasur kërkesa për akomodim. Përveç që kanë filluar kërkesat në përkrahje të gjërave ushqimore dhe nevoja tjera”, ka thënë tutje ai.

Kryetari Nura, tutje ka thënë se kanë nevojë shumë nga niveli qendror, ndonëse tha se deri më tani kanë marrënjë ekipi të FSK-së që kanë qenë dje prej 7-8 personash.

Me thënë të drejtën me këto mundësi që i kemi jemi përpjek sidomos ditën e djeshme. Sigurisht kemi nevojë jashtëzakonisht shumë nga niveli qendror, e deri më tani nuk kemi marr përveç një ekipi të FSK-së që kanë qenë dje prej 7-8 personash. Deri më tani nuk kemi diçka konkret. Përveç që kemi fol në telefon dhe më kanë pyetur se si është gjendja, më shumë jo”, ka thënë ndër të tjera Nura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *