Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Agim Aliu, ka adresuar një varg kërkesash në takim me kryeministrin Kurti.
Ndër të tjera, Aliu është ankuar për qasjen komunikuese të ministrave lidhur me çështjet e pushtetit lokal.
“Ne, Kryetarët e Komunave, kemi bindjen se duhet të ndryshoj tradita e moskonsultimit si dhe qasja komunikuese, duke investuar në një raport komunikimi cilësor nga ana e Ministrive të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për propozimet për ndryshime apo miratime të nismave të ndryshme legjislative, të cilat afektojnë drejtpërdrejt pushtetin lokal”.
“E tillë ishte edhe qasja për Ligjin për Vetëqeverisjen Lokal si dhe për procesin e amendamentimit të Ligjit për Tatimin në Pronë, për të cilën Asociacioni i Komunave të Kosovës, rrjedhimisht Kryetarët e Komunave, u përjashtuan nga konsultimi, përkatësisht vendimmarrja e përbashkët, kur mirëfilli dihet se ky ligj në gjendjen aktuale, dëmton në vlera milionëshe buxhetin e komunave, duke cenuar kështu edhe autonominë financiare të komunave e në këtë kuptim edhe përgjegjësitë komunale, duke derivuar të hyra më të pakta për komunat, zvogëlim të mundësisë për zhvillim të projekteve që bazë financimi kanë këtë burim”.
Sipas njoftimit, kryetarët e Komunave në Asociacionin e Komunave të Kosovës presin që kërkesat e tyre të të marrin adresimin e duhur institucional.