Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kaluar me “xhipat e zi” kah rruga ku sot u arrestua ish-shoku i tij, me të cilin dikur ishin kokë më kokë në Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.
Tashmë janë publikuar pamjet e kalimit të eskortës së tij gjatë kohës kur Molliqaj dhe disa aktivistë të PSD-së u arrestuan nga Policia.
Partia Socialdemokrate (PSD), e cila nuk përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës, protestoi të mërkurën kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke hedhur bomba tymuese që krijuan tym të madh të zi pranë hotelit në Prishtinë, ku ajo po mbante takim me shoqërinë civile.
Sipas PSD-së, Policia e Kosovës gjatë protestës i arrestoi gjashtë anëtarë të saj, përfshirë edhe kryetarin e saj, Dardan Molliqaj.
Ndërkaq, Policia e Kosovës nuk është prononcuar lidhur me këtë.
Kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për gjykatën e padrejtë speciale”, shkroi PSD-ja në Facebook.
Duke folur para përshkallëzimit të protestës, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se u mblodhën përballë hotelit për ta kundërshtuar vizitën e Trendafilovës në Kosovë.
“Sa herë që kemi qenë më afër Serbisë dhe marrëveshjeve të këqija me Serbinë, ka pasur përndjekje të UÇK-së. Gjykata e ka në mandat ta ndjekë vetëm UÇK-në, është më e keqe se njëetnike. Ne duhet dhe do ta pengojmë këtë takim. Takimi ka filluar ndërsa ne e vazhdojmë protestën”, tha Molliqaj.
Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “UÇK-ja është përpjekja për liri”, dhe “Trendafilova out”, si dhe brohoritën “Poshtë Gjykata Speciale”.
Partia Socialdemokrate ka protestuar kundër Trendafilovës edhe në të kaluarën.