E para e shtetit, Vjosa Osmani u kërkoi grave në politikë dhe në të gjitha sferat e jetës publike që të bashkohen në luftimin e dhunës ‘online’ dhe me bazë gjinore në vend, e cila, sipas saj, po rritet në mënyrë alarmante.
“Duhet të bashkojmë forcat, të gjitha gratë në politikë, në jetën publike, në përgjithësi në media, kudo që jemi për ta luftuar këtë fenomen së bashku, sepse në të kundërtën nëse nuk e luftojmë me guxim dhe vendosmëri, jam e sigurt që vajzat tona, të gjitha vajzat e Kosovës, do të përballen me dhunë edhe më të madhe sepse dhuna është në rritje”, tha presidentja në një intervistë për emisionin “Prijmë”, në Klan Kosova.
Duke avokuar për domosdoshmërinë e masave të prera, Osmani bëri të ditur se po ndërmerren hapa për forcimin e dënimeve për autorët e dhunës me bazë gjinore.
Ajo zbuloi më tej diskutimet e vazhdueshme me Ministrinë e Drejtësisë për të përmirësuar dispozitat ligjore, duke u fokusuar veçanërisht në adresimin e dhunës në internet, përfshirë kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes.
Presidentja shprehu shqetësimin e saj të theksuar për pabarazinë e dukshme në trajtimin e rasteve, ku kërcënimet ‘online’ ndaj grave duket se kanë më pak prioritet në gjykata, krahasuar me rastet e ngjashme ku viktima janë burrat.
“Kur viktimat e dhunës ‘online’ janë meshkuj, shoh që prej 48 orësh personat që kërcënojnë po dalin para gjykatës, dhe ky është një dekurajim për gratë që dërgojnë raste kërcënimesh, apo edhe shpifje, në institucionet tona të drejtësisë”, tha ajo në intervistë me gazetaren Naile Dema.