Dy vajza të moshës 12 dhe 13 vjeç kanë rrëfyer vrasjen e 12-vjeçares Luisa, e cila u gjet e pajetë pranë shtëpisë së saj në provincën federale të Palatinates të dielën, njoftoi policia të martën, shkruan Bild.
“Pas marrjes në pyetje për herë të parë, vajzat kanë dhënë deklarime kontradiktore dhe pasi u morën në pyetje për herë të dytë, kanë pranuar krimin”, ka thënë zëdhënësi i policisë në Koblenz.
Për momentin nuk dihet asgjë për motivin e këtij krimi, ndërsa po kërkohet edhe thika me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Prokurori i shtetit Mario Mannweiler shpjegoi se të dyja vajzat nuk janë penalisht përgjegjëse për shkak të moshës së tyre.
“Kjo nuk do të thotë se asgjë nuk do të ndodhë me to. Ato janë në duart e qendrës së kujdesit për të rinjtë”, ka thënë Mannweiler.
Avokati i shtetit ka thënë se kjo është “çështje e veçantë penale”.
12-vjeçarja e vdekur u gjet të dielën në mëngjes pranë shtëpisë së saj në kufirin midis shteteve federale të Rheinland-Pfalz dhe North Rhine-Westfalia, në perëndim të Gjermanisë.
Fillimisht dyshohej për vepër seksuale, por autopsia nuk i konfirmoi këto dyshime.
Luisa u zhduk të shtunën teksa po kthehej në shtëpi nga shtëpia e një shoqeje. Ajo u raportua e zhdukur sepse nuk ishte kthyer në shtëpi, madje nuk i përgjigjej as celularit. U nis një kërkim në të cilin morën pjesë një numër i madh efektivësh.
Trupi i saj u gjet të dielën pranë tunelit hekurudhor.