Gjaku i krijuar në një laborator është futur te njerëzit gjatë një prove klinike për herë të parë në botë, thonë studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar. Sasi të vogla, të barabarta me disa lugë po testohen për të parë se si funksionon brenda trupit, raporton BBC.
Pjesa më e madhe e transfuzioneve të gjakut do të mbështeten gjithmonë tek njerëzit që përveshin rregullisht mëngët për të dhuruar. Por qëllimi përfundimtar është të prodhohen grupe gjaku vitale, por tepër të rralla, të cilat janë të vështira për t’u gjendur.
Këto janë të nevojshme për njerëzit që varen nga transfuzionet e rregullta të gjakut për gjendje të tilla si anemia e theksuar.
Nëse gjaku nuk është në përputhje të saktë, atëherë trupi fillon ta refuzojë atë dhe trajtimi dështon. Ky nivel i përputhjes së indeve shkon përtej grupeve të njohura të gjakut A, B, AB dhe O.
Profesor Ashley Toye, nga Universiteti i Bristolit, tha se disa grupe ishin “me të vërtetë të rralla” dhe “mund të ketë vetëm 10 njerëz maksimalisht” në gjendje të dhurojnë.
Për momentin, ka vetëm tre njësi të grupit të gjakut “Bombay” në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.