Me 3 prill, në Hagë ka filluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të gjithë ish-krerë të lartë të UÇK-së, po përballen me akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Ndonëse nisja e gjykimit ndaj tyre ka marrë vëmendjen e gjerë nga opinioni publik në Kosovë dhe përtej saj, ende nuk është parë/dëgjuar asnjë fjalë nga Osmani Kurti dhe Konjfuca.
Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e Albin Kurti, që udhëheqin tri institucionet më të rëndësishme në vend, nuk kanë shkruar asnjë shkronjë në lidhje me nisjen e këtij gjykimi edhe pas rreth 38 orë që nga fillimi i gjyqit.
Në ditën e dytë të gjyqit, avokatët e Thaçit, Veselit dhe të Krasniqit dhanë para gjykatës deklaratat e tyre hapëse dhe ofruan ‘tonelata’ me prova, duke kërkuar lirimin e klientëve të tyre nga akuzat, zhvillime të tilla nuk po tërheqin vëmendjen e kryeministrit Kurti, presidentes Osmani dhe kryeparlamentarit Konjufca të cilët po vazhdojnë të heshtin.
Kurti gjatë ditës së dytë të gjyqit në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve e bëri përsëri një shkrim në Facebook, por – edhe këtë herë – jo për gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai ka shkruar rreth vizitës së tij në fabrikën e kompanisë kosovare “S//Sprint”.
“Bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe Kryetari e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ishim të nderuar sot nga mikpritja e përzemërt e çiftit bashkëpronar, Sopa, stafit menaxherial dhe punëtorëve të zellshëm të S//Sprint.” – ka shkruar Kurti ndër të tjera në këtë postim.
Megjithatë, ndonëse jo nga Kurti e Konjufca, reagime pati nga disa aktivistë të VV-së rreth fjalimit të Rexhep Selimit në Hagë. Fjalimi i Selimit, përfshirë citate nga fjalimi i tij, kanë filluar të shpërndahen gjerësisht, posaçërisht nga aktivistët e VV-së. Sigurisht, ndër reagimet e para ishte ai i bashkëshortes së Rexhep Selimit, Shqipe Selimit, e cila është po ashtu deputete e VV-së.
“Përgjithmonë UÇK” – shkroi Selimi, postimi i sëcilës mori mbi 500 pëlqime.
Tinka Kurti, deputete e VV-së, e shpërndau fjalimin e plotë të Selimit, duke shkruar se liria ka histori.
“Fjalimi i plotë sepse liria ka histori. Kur kërcënohesh si nxënës e pastaj si student rruga më e drejtë është ajo e çlirimit.” – shkroi ajo, postim që mori edhe pëlqimin e Fitore Pacollit, deputete e VV-së.
Fjalimin e plotë e ka shpërndarë edhe Valon Hoti, aktivisti e koordinatori i qendrave të VV-së, duke shkruar se Selimi e ka mbrojtur çdoherë UÇK-në.
“Rexhep Selimi e ka mbrojtur çdoherë UÇK-në në mënyrën siç edhe e ka patur angazhimin në të përherë, të vërtetë, për ideal, për çlirim e liri. Për vlerat që ka përfaqësuar UÇK, për vlerat që është angazhuar populli ynë, ju ftoj ta ndiqni fjalimin plotë të 10-shit, aty para Gjykatës së Hagës.” – shkroi Hoti.